”Asi këngë asi valle vetëm punë”, orari i ri i adminstratës


Ministrja Adea Pirdeni ka shpallur orarin e ri të administratës, që do të jetë 9-3.30. Vec kësaj sipas, Pirdenit, administrata do të ketë fleksibilitet në orar, që do të thotë, se mund të nisë punën më herët e të përfundojë më herët.

Skandali, dënohet me 4 vjet e 8 muaj, askush nuk vjen ta fusë në burg


Emisioni “Stop” në Tv Klan ndodhet në fshatin Nënshat bashkia e Vaut të Dejës për të takuar nga afër qytetarin Lazer Kola i cili është në arrest shtëpie dhe megjithëse e ka përfunduar dënimin, nuk po fiton dot lirinë. Ai tregon, se në 2019-ën është arrestuar për trafikim të lëndëve narkotike dhe në periudhën e Covid-it ka kërkuar ndryshim të masës së arrestit.

Prej asaj kohe, megjithëse u dënua nga Gjykata e Apelit të Gjirokstrës me 4 vite e 8 muaj, askush nuk e çoi në burg, por e lanë në arrest shtëpie. Vetë Lazri, pasi u njoh me vendimin e Apelit, u përgatit të shkojë në burg, por nga komisariati i Vaut të Dejës i thanë që nuk ka urdhër ekzekutimi për dërgimin në burg. Ndërkohë afati i dënimit ka përfunduar dhe Lazrit i shtyhen gjyqet dhe nuk i jepet verdikti.

Nga ana tjetër, për të shkuar në Gjykatën e Gjirokastrës, ai shoqërohet nga efektivi i Vaut të Dejës deri në Shkodër dhe aty e merr policia e Gjirokastrës. Në Gjykatën e Gjirokastrës thonë se gjyqet shtyhen për arsye proceduriale dhe ligjore, pra në dosjen e tij mungon urdhri i ekzekutimit nga prokurori përkatës i ekzekutimeve në Gjirokastër.

Ndërkohë as në policinë e Gjirokastrës e as në policinë e Vaut të Dejës, nuk është dërguar urdhër ekzekutimi për transferimin e Lazer Kolës në burg. Avokati Arben Llangozi shpjegon se prokurori i ekzekutimeve është Julian Çafka dhe mosbërja e këtij urdhri, e pengon qytetarin.

Por kjo neglizhencë e prokurorit Julian Çafka nuk është hera e parë që ndodh. Llangozi shprehet se ka një rast analog dhe prokurori ndodhet nën hetim për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Arben Llangozi: Të mos ekzekutosh një vendim gjykate dhe një vendim gjykate të formës së prerë, është jo vetëm skandaloze, por është një neglizhencë e rëndë në punë dhe nuk është hera e parë që ky prokuror ka zvarritur ekzekutimin e vendimeve të gjykatave. Gjykata e  Apelit, në një rast tjetër analog, ka urdhëruar hetimin e këtij prokurori për veprën penale të korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës. Kjo çështje ndodhet akoma nën hetim dhe kemi një rast identik, të njëjtë me rastin aktual. Edhe në rastin që unë ju bëj prezent, ky prokuror ka zvarritur hetimin prej rreth një viti e gjysmë.

“S’të ndahem gjithë jetën”, noterja e paditur i hakërrehet gazetares


Prej kohësh emisioni “Stop” në Tv Klan ka denoncuar me prova e fakte shkeljet e noteres së Fierit, Anila Haxhiu. Në mars 2023 u transmetua sesi bashkëshorti i noteres i premtoi një prindi t’i kalonte jashtë fëmijën pa prokurën e prindit tjetër, duke paguar 550 euro.

Të nesërmen, kur grupi i xhirimit i shkoi noteres në zyrë për problemin e shitjes së një prone pas denoncimit të Dritan Harapit, noterja arriti deri në pikën që dhunoi gazetaren dhe operatorin e emisionit “Stop”.

Në prill 2023 “Stop” publikoi vulën e falsifikuar të noteres për përkthim e rezultoi se vula i përkiste fermerit Pelivan Metushi. Për gjithë këto shkelje Ministria e Drejtësisë ka gjobitur me 5 milionë lekë noteren Anila Haxhiu.

Nga ana tjetër Ministria shprehet se për çështjen e dhunës ndaj grupit të xhirimit, nuk vepron dot pasi kjo çështje është në gjykim. Prokuroria e ka cuar çështjen për gjykim ku gjyqtarja Miranda Nakaj shpërfill pamjet filmike, por zvarrit procesin duke thirrur në mënyrë të pakuptimtë 25 dëshmitarë nga pala e paditur.

Si të mos mjaftonte kjo, noterja i është hakërryer sërish gazetares, duke e kërcënuar atë.

Noterja Anila Haxhiu: Nuk e di kujt i ke futur derrin në kokën tënde. Na merrke ti, kolegët gazetarë! Po pyes unë televizionet. Por se di kush jam unë fare. S’pyes televizionet unë! Nuk ke nxjerr edhe Sali Berishën, aty ta nxjerrësh tërë ditën! Jo Ina Zhupat, “Timona.al” që ke në kokë. Do fitosh ti duke bërë shoqe! Unë shoqet e tua i bëj me plastelinë, kshu, tak i bëj në parlament! I bëj kshu moj… i marr i bëj kllonë në Parlament! Ti s’më njeh fare moj kush jam! Po, po shikomë ti! Unë kam ja 10 milionë euro me gjak, kshu të deklaruara!

Avokatja e Anila Haxhiut: Shshshsh! Do pushosh ma! O Nila se do të nxjerrë gjykata jashtë edhe…

Noterja Anila Haxhiu: Jo me, s’flas unë! Zonja prokurore (prokurores Elida Hoxha) këto gjëra duhet t’i dëgjoni edhe juve! Çfarë dëshmitarësh me? Ata ishin në zyrë të tërë. Po bënin punë. Hajde, hajde më jep 2 milionë euro dëmshpërblim! Unë jam grerëzë moj grerëzë! Qesh, qesh… Më njeh mua ti kush jam? Unë jam grerëzë! Po t’u ndava, po vdeksha! O unë, o ti në këtë botë!

/tvklan.al