Cristiano Ronaldo ka kritikuar ashpër trajnerin e Manchester United, Erik ten Hag për qëndrimin e tij që kur mori drejtimin e klubit.

Ylli portugez, i cili i shprehu pikëpamjet e tij në një intervistë me Rio Ferdinand, tjetër ikonë e “Djajve të kuq” ka shënuar 145 gola në 326 paraqitje me United, ndërsa fitoi edhe nëntë trofe me klubin.

Periudha e dytë e rikthimit të CR7 përfundoi me përplasje pas një mosmarrëveshjeje me Ten Hag.

Portugezi vendosi të ndërpriste kontratën e tij, përpara se të sulmonte holandezin dhe të deklaronte se ndihej i ‘tradhtuar’ prej tij.

Lojtari i Al-Nassr në bisedën me Ferdinand sërish e shigjetoi teknikun holandez.

Cristiano Ronaldo, sulmues: Siç të thashë, te Manchester, ata duhet të rindërtojnë gjithçka, për mendimin tim! Trajneri, thotë se ekipi nuk mund të konkurrojë për të fituar Premier Ligën dhe Ligën e Kampionëve. Si trajner i Manchester United, nuk mund ta thuash këtë. Deklarata e tij do të duhej të ishte, ndoshta ne mund të mos ta fitojmë, por duhet që të përpiqemi!

Që kur Ten Hag mori drejtimin, “Djajtë e kuq” e kanë mbyllur sezonin në vend të tretë dhe të tetë në Premier League, megjithëse ata kanë fituar Kupën Carabao dhe FA Cup në atë kohë, me holandezin që shpesh ka vënë në pah sukseset e tij.

Në merkaton e verës, drejtuesit e peshuan gjatë qëndrimin e holandezit në stol, ndërsa të shumtë ishin zërat për ta larguar,  por në fund u vendos që Ten Hag-ut t’i jepej besimi për të vazhduar punën.

Klan News