Elseid Hysaj, foli për “Klan Kuqezi”, pas ndeshjes ku Shqipëria u mposht minimalisht nga Gjeorgjia.

Hysaj deklaroi se ndjen keqardhje, sepse sipas tij, skuadra bëri një ndeshje të mirë, ndërsa shtoi se përballë ishte një kundërshtar i fortë.

Mbrojtësi theksoi se skuadra ishte pak më e lodhur, në krahasim me ndeshjen ndaj Ukrainës. I pyetur për të ardhmen, Hysaj la të nënkuptohet se mund të largohet nga Lazio, pasi u la jashtë listës së kampionatit.

“Keqardhje për humbjen sepse bëmë një ndeshje të mirë, nuk është se bëmë ndeshje të keqe. Ndoshta ishim pak më të lodhur se ndeshja e kaluar ndaj Ukrainës. Gjeorgjia është një skuadër në rritje. E kemi parë edhe në Europian. Në fushën tonë, duhet të bënim më mirë. më vjen keq, sepse luajtëm mirë. KE kishim vendosur që do të rrinim dy veta ndaj Kvaraskhelia-s, sepse nuk duhen lënë hapësira, pasi është një kundërshtar i fortë.

Kur një skuadër është e mbyllur, duhet të gjejmë një mënyrë për të depërtuar. Duhet të jemi më të kujdesshëm dhe më të zgjuar në fushë.

Edhe Ukraina ishte një skuadër që na bënte presion, por kishim mundësi të luanim përpara. Shpenzuam shumë atje. Më vjen keq, sepse duhet të jemi më të zgjuar, për të bërë edhe ndonjë faull taktik ndoshta.

Shpirti nuk ka munguar në këtë ndeshje. Të gjithë dhanë maksimumin. E dinim, se do të ishte një ndeshje që mund të vendosej nga gabimet. Duhet të kemi besim gjithmonë për kualifikimin. E kemi mundësinë dhe të vazhdojmë përpara.

E ardhmja? Me Milanin luajta 5 minuta dhe u nisa në Kombëtare. Nuk kam folur ende me klubin. E kam lexuar që jam lënë jashtë listës. Do shkoj nesër dhe do shikoj çfarë do të ndodhë dhe do të shikoj për një zgjidhje. Ndoshta nuk do të rri aty.”, deklaroi Hysaj.   

/tvklan.al