BE heq nga agjenda liberalizimin e vizave

Kosova është e gatshme që të diskutojë për planin franko-gjerman me Serbinë sa më shpejt që të jetë e mundur, ka deklaruar kryeministri Albin Kurti, i cili ka bërë të ditur se kryenegociatori Besnik Bislimi diskuton në Bruksel me homologun e tij serb vetëm për çështjen e targave.

Albin Kurti: Nuk është koha për ambicie të vogla, por është koha e hapave të mëdhenj. Prandaj, ne jemi të gatshëm që propozimi i Bashkimit Evropian, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të vendoset në tryezë një orë e më parë.

Ka thënë se në takimin më 18 Gusht në Bruksel janë dakorduar për tekstin për marrëveshjen për të pagjeturit, por Serbia ka refuzuar të nënshkruajë këtë.

Albin Kurti: Unë isha i gatshëm të nënshkruaja, Serbia refuzoi. Në Bruksel nuk përmendet që ka marrëveshje të dakorduar. Kur vjen puna për nënshkrim unë isha gati, e Serbia jo.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se situata në veri është e tensionuar, por e menaxhueshme.

Xhelal Sveçla: Targat janë marrë si pretekst por është vendim i ligjshëm që është pranuar nga BE-ja dhe ambasadorët e Quint-it. Rezistenca e këtyre grupeve here ka qenë e armatosur ku dihet se ka pasur 11 sulme ndaj policëve kosovarë gjatë kësaj kohe dhe herë ka qenë e veshur me një petk politik që është marrë nga Beogradi drejtpërdrejt.

Për shkak të situatës politike, propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili parasheh lëvizjen e lirë jo më larg se data 1 Janar e vitit 2024, u hoq nga agjenda e takimit të së mërkurës njoftoi presidenca Ceke.

Tv Klan