Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po viziton Maqedoninë e Veriut, ku do të takohet me homologun e tij, Hristijan Mickoski. Kjo vizitë po zhvillohet në kohën kur raportet mes dy shteteve janë acaruar për shkak të një incidenti më 1 Gusht në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Kryeministri Kurti, i shoqëruar nga ministra të kabinetit qeveritar, të hënën do të zhvillojë një vizitë pune në Maqedoninë e Veriut. Atje do të ketë një takim bilateral me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut me të cilin do të diskutojnë rreth raporteve bilaterale, bashkëpunimit rajonal dhe projektet infrastrukturore me interes për dy shtetet. Realizimi i kësaj vizite është dakorduar me 20 korrik”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Kurti ende nuk ka reaguar për këtë ngjarje ku është përfshirë numri një i shtetit të Kosovës, përderisa analistët në Kosovë kanë thënë më herët se dy krerët e shtetit kanë mosmarrëveshje për çështje të ndryshme dhe raportet e tyre kanë pësuar një tjetër “krisje”.

Kosova i ka dërguar notë proteste Maqedonisë së Veriut, duke i kërkuar sqarime dhe hetim të rastit të 1 Gushtit. Presidenca kosovare ka pretenduar se një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit ka tentuar t’ia marrë telefonin personal presidentes Osmani, në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike.

Presidenca kosovare ka thënë se përkundër se i janë bërë të ditura rregullat diplomatike, sigurimi “ka tentuar fizikisht ta shtyjë presidenten, me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën”.

Ky institucion po ashtu ka thënë se ndodhitë e 1 gushtit nuk mund të vlerësohen ndryshe, veçse “një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”.

Autoritetet në Shkup kanë thënë se kanë nisur hetimet për rastin, ndërkaq Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka thënë se përderisa Osmani ishte duke kaluar nëpër kontrollin kufitar, në momentin që asaj iu kërkua që të linte telefonin e saj që të kalonte përmes skanerit, “një pjesëtar i sigurimit të saj është tërhequr nga një punonjës i aeroportit, me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore”.

Nga Ministria e Jashtme maqedonase kanë shprehur keqardhje, për siç kanë thënë, keqkuptimet, që kanë ndodhur gjatë udhëtimit të Osmanit përmes aeroportit në Shkup.

Ndërkaq, nga Aeroporti i Shkupit kanë thënë se e kanë për obligim ligjor të kontrollojnë të gjithë udhëtarët, bagazhet dhe mallrat, përfshirë ata që udhëtojnë nëpër zonën VIP të aeroportit.

Ngjarja në Aeroportin e Shkupit është dënuar nga figura politike opozitare në Maqedoninë e Veriut, edhe nga kryetari i VLEN-it, Arben Taravari.

Koalicioni VLEN është pjesë e Qeverisë maqedonase, të udhëhequr nga VMRO DPMNE-ja e Mickoskit. Ky koalicion, i përbërë nga parti që më herët ishin në opozitë, ishte përkrahur nga Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, e cila kishte anëtarë në listën zgjedhore të këtij koalicioni./REL