Në një qëndrim të tyrin Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklaruan se janë thellësisht të zhgënjyer me ato që i ka cilësuar veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës. Ata theksojnë se kjo mund nxisë tensionet e panevojshme rajonale.
Reagim të ashpër pati edhe Brukseli, nëpërmjet zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cili tha se aksioni i fundit mund të ndikojnë negativisht sa i përket heqjes së masave ndaj Kosovës.
“Kjo është kundër dialogut, dhe një tjetër shembull i veprimeve të njëanshme e të pakoordinuara të administratës së Kurtit. Ky nuk është në fakt shtensionim, kjo çon në tensione të reja. Dhe kjo duhet të kuptohet mirë nga ata që marrin vendime në Prishtinë”, tha ai.
Në Mitrovicën e Veriut ishte ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili mbrojti aksionin e policisë për mbylljen e 9 pikave të postës serbe.
“Çfarë janë duke bërë institucionet e Kosovës është shumë normale. Ato nuk kanë pasur licencë.”
Sveçla gjithashtu doli edhe kundër ndërkombëtarëve sa i përket çështjes së hapjes së urës së Ibrit, duke theksuar se vlerësimi për hapjen e saj i takon ekspertëve.
Tv Klan