Spiker: Redi Prifti

Headlines 22 Gusht 2024

Hetime edhe në Kosovë për mbetjet toksike. Kompania eksportuese, ngarkesa edhe nga miniera e Trepçës

Hetimet për ngarkesën prej 800 tonë mbetjesh toksike të nisura nga Shqipëria drejt Tajlandës pritet të shtrihen edhe në Kosovë, pasi një pjesë e tyre dyshohet se vijnë nga miniera e Trepçës. Kompania eksportuese refuzon të japë sqarime.

Plagosja te “Komuna”, zbardhet dëshmia policit: E pashë rastësisht, nuk kisha qëllim ta vrisja

Zbardhet dëshmia e efektivit të policisë Erjon Goxhara, i cili plagosi pak ditë më parë 45-vjeçarin Lorenc Kosta në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë. Ai konfirmon se ngjarja ndodhi për motive të dobëta, por se nuk kishte qëllim ta vriste.

“The Times” rekomandon Shqipërinë si pjesë të 24 destinacioneve perfekte për pushime të vona

Gazeta e njohur britanike “The Times” e rendit Shqipërinë mes 24 destinacioneve më të mira për të bërë pushime në vjeshtë. Ajo u sugjeron lexuesve të saj Rivierën e jugut, por edhe vizitat në parqet e trashëgimisë kulturore.

Nga 1 Janari, transporti publik falas për pensionistët në Tiranë. Veliaj: Flota e urbanëve do të rinovohet

Transporti urban në Tiranë do të jetë falas për pensionistët duke nisur nga 1 janari i vitit 2025. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se bileta e tyre do të subvencionohet dhe se flota e autobusëve urbanë do të rinovohet.

Vetëm 13% e shoferëve e rifitojnë sërish patentën, ekspertet: Duhet të ketë masa për autoshkollat

Vetëm 13 përqind e drejtuesve të automjeteve që humbasin lejen e drejtimit kanë mundur ta rifitojnë nëpërmjet testimit. Pjesa tjetër është rikthyer në autoshkollë. Ekspertët sugjerojnë penalitete edhe për autoshkollat.

Cristiano Ronaldo, rekorde edhe në Youtube. Arrin 18 milionë ndjekës në vetëm pak orë

Rekord nga Cristiano Ronaldo edhe në Youtube. Ylli portugez i futbollit arriti mbi 20 milionë ndjekës vetëm 24 orë nga hapja e kanalit të tij në këtë platformë, duke thyer të gjitha rekordet e mëparshme të njerëzve të famshëm./tvklan.al