Spiker: Redi Prifti

Headlines 23 Gusht 2024

Mbetjet toksike, kompania e transportit “Maersk” dyshohet për trafikim të paligjshëm të tyre

Kompania Maersk që ka kryer transportin e 800 ton mbetje që dyshohet të jenë toksike, po akuzohet për trafikim të paligjshëm të tyre. Shoqatat mjedisore i kërkojnë të bëjë testet për të kuptuar për çfarë mbetjesh bëhet fjalë, përpara se ato të mbërrijnë në Shqipëri.

Burg pa afat për policin Erjon Goxhara. Gjykata pranon kryerjen e ekspertizës për shëndetin mendor

Do të qëndrojë në qeli efektivi i policisë Erjon Goxhara që plagosi me armë një 45-vjeçar në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë. Përpara gjykatës ai u shfaq i penduar ndërsa për të do të ketë edhe një ekspertizë të shëndetit mendor.

Krimet që zbardhi “SKY”, 2 të ekstraduar nga Spanja e Kosova. Akuzohen për drogë, plane për vrasje e pastrim parash

Interpol Tirana ekstradoi këtë të premte Ismail Zenelin nga Spanja dhe Arben Lamçen nga Kosova. Pas zbardhjeve të mesazheve në aplikacionin SKY, ata akuzohen për një sërë krimesh, si trafik droge, planifikim vrasjesh dhe pastrim parash.

90% e zjarreve të kësaj vere ishin të qëllimshme, autoritetet: Ndizen kryesisht për kullota

90% e zjarreve të kësaj vere kanë qenë të qëllimshëm. Autoritetet thonë se shumica e tyre janë ndezur nga barinjtë për të hapur kullota të reja. Qarqet më të prekur kanë qenë Gjirokastra, Korça dhe Dibra.

Kamala Harris, zyrtarisht kandidate për presidente. Premton t’u japë fund luftërave në Ukraine e Gaza

Kamala Harris është zyrtarisht kandidate e demokratëve për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara. Harris premtoi se do t’i japë fund tiranisë nëpër botë dhe zgjidhjen e konflikteve në Ukrainë dhe në Gaza.

Konstandinos Argiros, 2 koncerte në Shqipëri. Sonte në Tiranë dhe nesër në Green Coast

Këngëtari i njohur grek Konstandinos Argiros rikthehet në Shqipëri me dy surpriza për fansat e tij. Ai do të performojë sonte në një koncert në stadiumin “Selman Stermasi” në Tiranë dhe nesër në lokalin e njohur, “Sin” në Green Coast./tvklan.al