Trajneri Enzo Maresca këmbëngul se nëse Chelsea ka mundësinë që të blejë një sulmues që mund ta përmirësojë ekipin në ofensivë para mbylljes së merkatos verore, atëherë do të shpenzojnë sërish. Deri më 30 gusht, ‘blutë’ e Londrës kanë si objektiv që të afrojnë një qendërsulmues.

“Nuk kemi përse të firmosim me futbollistë vetëm se duhet firmosur. Nëse marrim lojtarë që na përmirësojnë në fushë, atëherë sigurisht që ata na duhen. Ndryshe, jemi të kënqur me ata çfarë kemi! Por të shikojmë! Nëse kemi mundësinë të afrojmë një numër ‘9’ që bën diferencën, do ta provojmë! Ndryshe jemi në rregull!”

Sulmuesi kuqezi Armando Broja nuk është në planet e trajnerit Maresca. Përfaqësuesit e lojtarit janë duke punuar për ta transferuar atë në një tjetër skuadër. Kjo do t’i japë mundësinë edhe Chelsea që të përfitojë financiarisht, nisur nga shpenzimet e shumta që ka bërë.

Klubi që ka përparur në bisedime është Ipsuiç Taun, i sapongjitur në Premier ligë. Por trajneri i ekipit, Kieran Mekkena tha se është e nevojshme edhe pak kohë që akordi të arrihet.

Sipas mediave angleze, 22 vjeçari do të huazohet për 1 sezon, e në verën e 2025-ës, Ipsuiç Taun duhet ta blejë për shumën e 30 mln paundëve.

Klan News