Pas pak më shumë se një viti, romanca mes Milan Skriniar dhe PSG-së ka marrë fund!

Pasi mbërriti verën e kaluar si një lojtar i lirë nga Interi, qendërmbrojtësi sllovak është jashtë projektit të trajnerit Luis Enrique, raporton Sportmediaset.

Në sfidën e fundit kundër Montpellier, trajneri spanjoll e përjashtoi nga skuadra për një zgjedhje teknike.

Kështu mbrojtësi 29-vjeçar përfundon në merkato dhe mund të përfaqësojë një mundësi mjaft të mirë, pavarësisht se paga e tij prej 9 mln Eurosh si edhe bonuset janë të paarritshme për klubet italiane.

Pasi e nisi sezonin si titullar në 13 ndeshjet e para, Skriniar pati rënie në hierarkinë e teknikut spanjoll.

Situata e tij u komplikua në janar të 2024-ës, kur pësoi një dëmtim që e la jashtë për dy muaj e gjysmë.

Luis Enrike e impenjoi në disa sfida të Lig 1, por kurrë në përballjet e rëndësishme të Ligës së Kampioneve. Zero minuta për të ndaj Barcelonës në çerekfinale dhe Borusia Dortmundit në gjysmëfinale.

Trajneri preferon Marquinhos e Beraldo. Dhe me kthimin e Kimpembe pas 1 viti, dyert për Skriniar janë mbyllur përfundimisht. Për të vetëm 1 javë kohë për të gjetur një skuadër të re.

Klan News