Shqipëria ka dorëzuar aplikimin për t’u anëtarësuar në  Iniciativën e Bashkimit Evropian SEPA që siguron për qytetarët dhe bizneset shqiptare më shumë lehtësi në sistemin e pagesave ndërkufitare në monedhën e përbashkët.

Kërkesa për t’u bërë pjesë e zonës gjeografike të skemave të pagesave është firmosur nga Guvernatori i Përgjithshëm i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, i cili e cilëson një ditë historike për sistemin financiar të vendit dhe për të gjithë qytetarët.

“Nëpërmjet pjesëmarrjes në SEPA bizneset dhe qytetarët në vendet e BE-së kryejnë transferta me një kosto më të ulët dhe shpejtësi kohore më të madhe”, tha ai.

Pjesëmarrja në SEPA vlerësohet se do të ketë një kontribut domethënës në sektorë strategjikë siç është turizmi dhe në rritjen flukseve të lidhura me investimet e huaja direkte.

“Bizneset dhe qytetarët shqiptarë do të fitojnë qindra milionë euro nga komisionet nëpërmjet transfertave më të shpejtave dhe kostove më të lira. Do të përfitojnë të gjithë agjentët turistikë dhe vizitoret e turistët, por gjithashtu edhe investimet e huaja direkte do të përfitojnë”, tha Sejko.

Shqipëria është vendi i parë në rajon, i cili dërgon aplikimin formal për t’u pranuar në zonën gjeografike SEPA.

Tv Klan