Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, veprimtaria e sistemit financiar vazhdoi ecurinë pozitive. Në raportin e stabilitetit financiar për periudhën Janar-Qershor, Banka Qendrore vlerëson se pavarësisht efektit negativ të mbiçmimit të kursit të këmbimit, në sektorin bankar, depozitat u zgjeruan dhe ritmi i rritjes së kredisë u përshpejtua.

Më konkretisht, depozitat e mbajtura në sektorin bankar u rritën gjatë periudhës me 0.4%, duke reflektuar kryesisht zgjerimin e depozitave me afat, të depozitave të individëve dhe atyre në Lek. Në terma vjetorë, depozitat në Lek dhe në valutë u zgjeruan me përkatësisht 8% dhe 6%, ndërsa depozitat e përgjithshme u rritën me 7%.

Ndërkohë, sa i takon kredisë, ajo edhe gjatë kësaj periudhe ka shënuar rritje më të madhe se depozitat. Në terma vjetorë, kredia u zgjerua me 11.1%, ndërsa në krahasim me fundin e vitit 2023, ajo u rrit me 7.1%.

Banka e Shqipërisë vlerëson se kërkesa për kredi u mbështet nga nevoja për konsum dhe për blerje pasurish të paluajtshme, kryesisht në monedhën vendase. Në fund të periudhës, norma e interesit për kredinë e re për individë, shënonte vlerën 8.4%.

Normat më të larta të interesit, individët vijojnë t’i paguajnë për kredinë për konsum në Lek, për të cilën në fund të periudhës bankat raportuar një normë prej rreth 9.4%. Përshpejtimi i kreditimit është shoqëruar me një rritje të lehtë të stokut të kredive me probleme, i cili u rrit me rreth 6%, duke u ngjitur në nivelin 37 miliardë Lekëve.

Tv Klan