Një shtëpi kanabisi u bastis nga autoritetet policore në Britani, pas sinjalizimit që patën nga një koleg i tyre i cili kishte vënë re se grilat e dritareve të mbyllura të pronës në fjalë “lëviznin në mënyrë konstante”.

Oficerët e policisë dyshuan se kjo lëvizje shkaktohej nga ventilimi, i përdorur zakonisht për prodhimin e drogës. Për këtë arsye ata shkuan për kontroll në pronën në fjalë që ndodhej në Ashton Avenue në Harehills.

Ata u detyruan që ta hapnin derën me forcë për shkak se ishte e përforcuar dhe kur arritën të futeshin brenda, gjetën plot 5 dhoma të mbushura me bimë kanabisi, vlera e së cilave shkonte në 92 mijë paundë. E teksa e rrethuan zonën, në shtëpi mbërriti shqiptari R. Tafa, i cili u vu në pranga.

Shenjat e tij të gishtave u gjetën në ventilatorët që përdoreshin për të rritur bimët. 20-vjeçari, i cili nuk kishte precedentë të mëparshëm penale, pranoi se kujdesej për kultivimin e drogës.

Avokati i tij mbrojtës tha se i riu ishte larguar nga Shqipëria rreth 1 vit më parë, kishte jetuar në Francë për një farë kohe e më pas kishte mbërritur në mënyrë të jashtëligjshme me anije në Britani. Gjykata e dënoi 20-vjeçarin më 26 muaj burg./tvklan.al