Martin Odegard shton “dhimbjet e kokës” te Arsenali. Dëmtimi i pësuar në fitoren ndaj Austrisë në Ligën e Kombeve duket se do të ndikojë jo pak në performancën e mesfushorit. Nga ekzaminimet e detajuara mjekësore ka rezultuar se 25-vjeçari ka lënduar rëndë këmbën e majtë, me shkallën e dëmtimit që do i kushtojë qëndrimin jashtë fushave për disa javë.
Menjëherë pas takimit, Odegard është fotografuar në aeroportin e Oslos duke hyrë në një avion privat duke përdorur paterica. 25-vjeçari rrezikon të qëndrojë për të paktën 1 muaj jashtë fushave, për të vënë në dyshim sfidat e ardhshme të kombëtares norvegjeze në Ligën e Kombeve.
Në rast se kjo mungesë vërtetohet, atëherë, mesfushori do humbiste sfidat me Arsenalin në kampionat por edhe në Champions League. E sigurtë është se takimin me Totenhem do e shikojë larg fushës, teksa në dyshim mbeten edhe sfida me Manchester Sitin, si dhe ndeshjet e Champions League kundër Atalanta dhe Pari Së Zhërme. Odegard ndikon shumë në lojën e Arsenalit pasi është vendimtar për skuadrën e Mikel Artetës. Mesfushori ishte lojtari më kreativ në kampionatin anglez sezonin e shkuar, me kapitenin e londinezëve që dhuroi 10 asiste.
Klan News