Holandë-Gjermani është kryesfida e mbrëmjes së sotme në Ligën e Kombeve. Përballja më e ashpër e futbollit europian vjen në momentin më të mirë për dy kombëtaret, të cilat përplasen me njëra-tjetrën pas festivalit të golave në ndeshjen debutuese të kompeticionit. Si Holanda ashtu edhe Gjermania shënuan 5 herë për të fituar respektivisht kundër Bosnje-Hercegovinës dhe Hungarisë.

Për “tulipanët”, nënkampion të edicionit të parë, gjermanët janë ogur i mirë pasi kanë shënuar fitoren e parë në këtë turne. Kontingjenti i Gjermanisë shfaqet optimist pas fitores së të shtunës, që ishte edhe ajo më e thella në Ligën e Kombeve. Gjithsesi, tekniku Julian Nagelsmann ka pranuar se ka ende vend për përmirësim, pasi në këtë kompeticion bilanci nuk buzëqesh.

Deri më tani, Gjermania ka fituar 4 herë në 17 ndeshje, por vëtëm një triumf ka ardhur në transfertë.  Megjithatë shpresat janë të mëdha, pasi në 5 vizitat e tyre të fundit në Holanda kanë marrë 1 fitore e 3 barazime. Panserat kanë pësuar vetëm një gol në pjesën e parë të 10 ndeshjeve të fundit, me bilancin që i flet totalisht në favor të tyre, me 5 fitore, 4 barazime e vetëm një humbje në 45 minutëshin e parë. Përballja tjetër e këtij grupi është ajo mes Hungarisë dhe Bosnjes.

Harry Kane tenton të shkruaj historinë me kombëtaren angleze përballë Finlandës. Për kapitenin e “tre luanëve”, kjo do të jetë sfida numër 100, jubile për të cilin ka gati edhe mënyrën për ta kurorëzuar. I frymëzuar nga Ronaldo, sulmuesi anglez shpreson që të gjej ritmin e golave edhe me nënkampionët e Europës.  

Me interes për kombëtaren shqiptare është sfida e Pragës mes Republikës Çeke dhe Ukrainës. Dy rivalët e kuqezinjve përplasen me njëra-tjetrën për të tentuar pikën e parë në këtë edicion të Ligës së Kombeve. Historia shikon më të favorizuar ukrainasit, të cilët kanë fituar 2 herë, në kuadër të këtij kompeticioni, teksa vetëm një herë kanë festuar çekët.

Klan News