Organi i Akuzës Shqiptare po heton mbi një linjë të re trafikimi të drogave të forta drejt Shqipërisë. Një dosje e tillë që prej 2 muajsh i është dorëzuar nga Policia e Prokurorisë së Krimeve të Rënda me qëllim hetimi. Droga injektohet në shishet e verës dhe pasi kalon një proces tharje në laborator kimik rikthehet në gjendje të ngurtësuar gati për konsum.

Indicia e këtij hetimi erdhi pas ngjarjes ku humbi jetën një çift në plazhin e Kavajës, pasi kishin konsumuar nga 1 gotë verë. Çështja u konsideruar e mbyllur pas akt-ekspertimit mjekoligjorë, se çifti kishte vdekur si pasojë e marrjes së një mbidoze kokaine e cila ishte përzierë me pijen alkoolike dhe kishte shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Por historia për policinë nuk u mbyll me kaq.

Hetimet paraprake çuan policinë në dyshimet se si kishte mundësi që një sasi kaq e madhe kokaine të gjendej në një shishe të vetme vere. Deri më tani kjo dosje është mbajtur sekret dhe askush nga prokurorët e ngarkuar për këtë çështje nuk jep detaje për të mos dekonspiruar hetimet. Ky është rasti i parë që prokuroria dhe policia shqiptare po heton mbi një linjë trafiku, ende nuk dihet se nga vinte vera dhe se si kjo verë kishte rënë në duart e çiftit që e konsumojë në intimitet./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani

Operator: Isdor Rudho