Një thatësirë ​​e madhe në Siçili pothuajse ka tharë liqenin e vetëm natyror të ishullit mesdhetar, i cili prej kohësh ka shërbyer si një habitat për zogjtë që emigrojnë midis Afrikës dhe Evropës. Liqeni Pergusa, pranë qytetit qendror sicilian Enna, është tkurrur në mënyrë dramatike për shkak të motit të nxehtë dhe shirave të pakta.

“Liqeni Pergusa është i vetmi liqen natyror që kemi në Siçili. Ai përfaqëson një stacion thelbësor për zogjtë shtegtarë, domethënë në rrugën që çon speciet shtegtare nga Afrika në Evropë dhe anasjelltas. Është një rrugë e rëndësishme, veçanërisht në kalimi nga Afrika në Evropë, dhe ai duhet të jetë stacioni i parë për disa lloje, po flasim për qindra specie me mijëra ekzemplarë në vit, të cilat nuk kanë ndaluar për këtë vit për shkak të këtyre kushteve”, thotë Giuseppe Maria Amato, nga shoqata e mjedisit Legambiente.

Siçilia prej muajsh të tërë ka regjistruar një sasi të vogël reshjesh nën mesataren, me qeverinë italiane që shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në fillim të këtij viti për shkak të thatësirës, e cila ka shkatërruar të korrat.

“Liqeni nuk është më aty, pjesa e ujit është zhdukur plotësisht; përveç kësaj pellgu që kemi këtu, që do të jetë rreth një e qindta e madhësisë së liqenit, gjithçka tjetër është zhdukur”, shton Amato.

Valët e njëpasnjëshme të të nxehtit ekstrem në Siçili kanë regjistruar temperatura tepër të larta me një rekord në vitin 2021 prej 48.8 gradë Celsius dhe një numri qytetesh u është dashur të vendosin racionimin e ujit.

Krizat e thatësirës kanë goditur edhe qytete të tjera në Evropë vitet e fundit, duke përfshirë Francën dhe Spanjën, por ato kanë prekur veçanërisht rajonin e Mesdheut, ku temperatura mesatare është tani 1.5C më e lartë se 150 vjet më parë.

“Tani po jetojmë në një situatë emergjente. Tharja totale dhe dështimi për të patur ujë në vjeshtë do të ishte me të vërtetë katastrofike. Duhet të pranojmë se ndryshimi klimatik ka një ndikim. Ka filluar të shkaktojë dëme të pakthyeshme”, vijon Amato.

Sipërfaqja e liqenit zakonisht mbulon 1.8 km katror (0.7 milje katrore) dhe nuk ka lumenj që rrjedhin brenda ose jashtë tij. Shkencëtarët besojnë se thatësira rrezikon të dëmtojë përgjithmonë biodiversitetin rreth liqenit, i cili së bashku me zogjtë shtegtarë është shtëpia e peshqve, molusqeve dhe mikro-jovertebrorëve.

Tv Klan