Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Biznesmenët shqiptarë ndihen të kërcënuar dhe të pambrojtur pas vrasjes pak ditë më parë të presidentit të firmës Flevi, Florian Vila. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Luan Bregasi, i kërkon shtetit dhe organeve kompetente, zbardhjen sa më parë dhe gjetjen e autorëve të krimit.

Luan Bregasi:- “Në gazeta kam lexuar shumë pista që diskutohen arsyet pse është goditur, por unë mendoj se kushdo që të jetë ajo, ne humbëm një njeri që punonte në Shqipëri, humbëm një biznesmen”.

Bregasi e cilësuar vrasjen e Vilës, si një pengesë për mos zhvillimi e biznesit në një treg konkurencial.

Luan Bregasi:- “Humbet një biznesmen, mbyllet një familje, mbyllet një punë, largohen nga puna 50 punëtorë, apo 100 punëtorë, largohen nga puna 100 apo 200 familje, kështu që nga kjo pikëpamje, unë mendoj se shteti duhet t’i vlerësojë, jo thjesht si një problem, që humbet një njeri fizikisht, por e parë edhe në planin më kompleks më të gjerë nga pikëpamja sociale, unë mendoj se angazhimi duhet të jetë shumë më i madh”.

Dosja e vrasjes së Florian Vilës ka mbërritur në prokurorinë e rrethit. Atentati ndaj biznesmenit shqiptar, tregtari i hekurit, i cili u ekzekutua disa ditë më parë nga tre persona, sipas burimeve nga organi i akuzës ka si pistë zyrtare, vrasje për shkak të konkurrencës. Ky dyshim është deklaruar nga familjarë dhe bashkëpunëtor të biznesmenit, që në momentet e para pas krimit.

Fillimisht hetimet e policisë konsideruan disa pista hetimore. Hasmëria për shkak të vdekjes së një punëtori gjatë punës u rrëzua, pasi familjarët e të dy palëve, deklaruan se konflikti ishte shmangur me dhënien e një dëmshpërblimi për familjen e dëmtuar. Gjatë hetimeve të para u rrëzua dhe pista e marrjes së ndonjë kërcënimi për gjobë, pasi biznesmeni Vila lëvizte i vetëm pa armë dhe bodyguard, në momentet përpara krimit.

Policia realizoi hetimet edhe mbi marrëdhëniet financiare të firmës Flevi dhe për kreditorë apo borxhlinj të biznesmenit të vrarë, duke e konsideruar edhe këtë si një motiv të mundshëm për vrasjen. Por nga këqyrjet e financave, rezultonte se firma Flevi, ka si borxh vetëm një kredi të rregullt bankare, marrë në një bankë greke. Kështu dosja Vila ka mbërritur në organin e akuzës me një pistë të vetme zyrtare, pretendimin e familjarëve, se 36 vjeçari Florian Vila, kishte kundërshtarë të mundshëm vetëm konkurrentët e tij në biznes./tvklan.al