Edhe pse pranon se të flasësh për konfliktin Izrael-Hamas është çështje shumë delikate kur bota është e ndarë në qëndrime, Edi Rama mendon se sulmit terrorist të 7 Tetorit,  Izraeli nuk mund t’i përgjigjej ndryshe.

“Ndërkohë që bota mund të jetë e ndarë për mënyrën sesi dilet nga kjo luftë shkatërruese pa dëshmuar klithmat e përditshme të dhimbjes së të pafajshmëve në Gaza, është thjesht një marrëzi e cila mund të sjellë pasoja shkatërruese për të gjithë ne që të mos jemi të bashkuar për ta përkufizuar me vendosmëri terrorin si armikun e përbashkët. Të kërkosh një përgjigje proporcionale kundër terrorit është jo vetëm kërkesë për diçka jorealiste, por edhe që të bashkëjetosh me terrorin, duke njohur terroristët si homologë legjitimë që duhen zbutur, jo si armiq të përbashkët që duhen mposhtur. Po, mund të gjenden plot arsye për të kritikuar Izraelin në luftën e tij në Gaza, por asnjë nga ata që përkrahin lirinë e demokracinë nuk duhet të harrojnë se Hamasi përfaqëson një prej shëmbëlltyrave më të këqija antidemokratike të kësaj bote. Pra, ajo që u duhet thënë atyre që e quajnë Gazën një burg në qiell të hapur është se gardiani i të burgosurve brenda atij burgu është Hamasi, jo Izraeli”.

Rama vendos shenjën e barazimit mes Hamasit dhe nazizmit e ISIS-it.

“Nëse Hamasi do të ishte një forcë e zgjedhur demokratikisht e cila, në vend se të synonte me ngulm shkatërrimin e Izraelit me mbështetjen e Iranit, do të kërkonte lirinë dhe prosperitetin e popullit të vet përmes rendit demokratik, do të isha i pari që do të thosha se Izraeli është krejt gabim dhe duhet të ndalet e të trajtohet si agresor kundër një fqinji që kërkon paqe. Por edhe pse vuaj si çdo qenie tjetër njerëzore dëshmitare e asaj çfarë po ndodh në Gaza, e kam të pamundur t’i jap edhe fijen më të hollë të mundësisë së besimit Hamasit, që është xhelati i përditshëm i popullit të vet qysh prej shumë viteve në pushtet. Në luftën e Hamasit, sinqerisht, nuk gjej asgjë fisnike më shumë sesa në luftën e ISIS-it apo të nazizmit.

Për fat të keq, asnjë nuk e ka shpikur ende një metodë mposhtjeje të dhunës për vetëmbrojtje pa ushtrimin e forcës dhe, sërish, ne, sigurisht, jemi mjaft të vetëdijshëm se ajo çfarë po ndodh në territoret ku jetojnë populli i Izraelit dhe populli i Palestinës është diçka e tmerrshme që duhet të marrë fund sa më shpejt të jetë e mundur.

 Shqipëria ka votuar më shumë se njëherë në Kombet e Bashkuara pro armëpushimit të menjëhershëm, por, ndërkohë, nuk kemi dyshuar kurrë që një armëpushim i cili nuk përfshin lirimin e të gjitha pengjeve nuk është veçse inkurajim për Hamasin.

Po kështu, ne kemi përkrahur prej një kohe të gjatë dhe përkrahim vendosmërisht zgjidhjen përmes dy shteteve,… si e vetmja rrugë përpara drejt një paqeje afatgjatë, por, për ne, kjo do të thotë që Hamasi duhet të dalë “jashtë loje” dhe të krijohet një përfaqësim të besueshëm politik i palës palestineze, i mbështetur nga të gjitha vendet arabe”.

Një qëndrim të tillë për herë të parë kaq të shtjelluar lidhur me konfliktin në Gaza, Kryeministri Rama e ndau në eventin e organizuar në Nju Jork nga disa shoqata hebraike për ta nderuar atë për kontributin që ka si përkrahës i luftës kundër diskriminimit dhe antisemitizmit, kontribut që Rama tha është i gjithë popullit shqiptar që nis me Luftën e Dytë Botërore kur i mbrojtjën hebrenjtë nga nazistët.

Të njëjtën gjë shteti shqiptar deklaroi Rama beri dhe me iranianët, ndërmarrje që nuk ka kaluar pa kosto për vendin.

“Ne paguam një çmim të shtrenjtë mikpritjen për ta, pasi  regjimi totalitar i Teheranit u angazhua në një agresion kibernetik masiv kundër Shqipërisë. Po ne nuk u hoqëm dorë dhe nuk do të heqim dorë nga zotimi për t’i strehuar ata njerëz në vendin tonë për aq kohë sa është e nevojshme..

iranianët në Shqipëri janë në besën tonë, ashtu siç qenë hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Teheranit do i duhet ta flejë mendjen, se nuk ka shanse që t’i dorëzojmë ndonjë prej tyre regjimit. Nga ana tjetër, ne nuk i inkurajojmë miqtë e strehuar tek ne në asnjë aksion politik që përdor si platformë Shqipërinë”.

Kryeministri shqiptar bëri të qartë ndërkohë se Shqipëria përveçse do të jetë një zë i fortë në rajon, kërkon miqësi dhe aleancë-strategjike me SHBA e BE, nuk lë pas partneritete strategjike me Italinë, Greqinë e Turqine dhe po ashtu kërkon lidhje të forta me Izraelin.

Tv Klan