Të paktën 50 njerëz kanë humbur jetën dhe miliona të tjerë kanë mbetur pa energji teksa uragani Helene ka goditur juglindjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ekipet e emergjencës vijojnë një operacion masiv të kërkim shpëtimit me dyshimet se të tjerë njerëz mund të kenë humbur jetën për shkak të valës së përmbytjeve që kanë përfshirë shtetet e Floridës, Xhorxhias, Tenesit, Karolinës se Jugut dhe Virxhinias.

Kjo konsiderohet si një nga stuhitë më të fuqishme që ka goditur vendin. Autoritetet thonë se dëmet e shkaktuara nga stuhia mund të arrijnë në miliarda Dollarë.

Rrugët dhe shtëpitë u përmbytën nga niveli i ujit që arriti mbi 4 metra duke detyruar njerëzit të qëndronin në çatitë e banesave.

Edhe pse ‘Helene’ është dobësuar ndjeshëm, sinoptikanët paralajmërojnë se erërat e forta, përmbytjet dhe kërcënimi i tornadove mund të vazhdojë.

Tv Klan