“Mbi 1000 kompani janë bërë bashkë në Verona në panairin Marmomac, panairin më i rëndësishëm botëror për të gjithë zinxhirin e prodhimit të gurit; nga guroret tek produkti i përpunuar, nga teknologjia e avancuar e deri tek makineritë dhe pajisjet”, raporton gazetarja Oljana Maloku.

Me një eksperiencë 20-vjeçare “Stone Albania” është një nga kompanitë lider në nxjerrjen dhe përpunimin e mermerit. Prej vitesh kjo kompani merr pjesë në panairin Marmomac duke e bërë të njohur ndërkombëtarisht dhe duke gëzuar kontrata dhe bashkëpunime në mbarë botën.

Materialet cilësore që gëzon “Stone Albania” me vendndodhje në Vlorë, kanë tërhequr interesin e shumë kompanive nëpër botë duke gjetur përdorim në projekte gjigande.

“Në këtë panair të jeper mundësia që të kesh marrëdhënie të drejtpërdrejt me klientin dhe porosinë e merr direkt nga klienti , mendoj se kanë arritur 20% më shumë fitimet. Interesi ka qënë shumë më i lartë duke qënë se ndërtiminë botë nuk ndalet dhe është gjithnjë duke përparuar”, thotë Miltjano Kapaj, drejtor i Stone Albania.

Mermeri shqiptar po gjen përdorim kudo; në Europë, Azi, Australi, Amerikë, Brazil.

“Në formën e bllokut ne kemi kapacitete në vit prej afro 15.000 metër kub, në formën e lastrave kapaciteti maksimal është tek 200.000 metra katror, ndërsa për të prera ulet tek 50 ose 60.000 metra katror. Gjithmonë duke kërkuar që tek pjesa e prerë të jetë sasia shumë herë më e lartë se sa ka qenë në vitet në vijim. Momentalisht jemi në një pikë që nuk plotësojmë dot të gjtha kërkesat që ka tregu pavarësisht teknologjisë së fundit”, u shpreh Anxhelo Kapaj, menaxhet i Stone Albania.

Investitorët e huaj janë të mahnitur nga cilësia e mermerit Stone Albania.

“Hera e parë që u takova me përfaqësues të Stone Albania ishte para 8 viteve dhe vazhdojmë ende bashkepunimin shumë lart. Materiali që po marr nga Stone Albania ka një strukturë shumë të fortë. Këto materiale janë shumë të qëndrueshme dhe rezistente ndaj ujit dhe kjo është shumë e mirë si për pjesën e jashtme ashtu edhe të brendshme të objekteve. Unë e dërgoj këtë produkt në Kinë dhe gjithashtu e rieksportoj në Dubai ku bëjmë shumë projekte. Klientët janë shumë të kënaqur me cilësinë nga vetë guri dhe procesin”, deklaron Marco Wan, sipërmarrës në Kinë.

Drejtuesit e këtij panairi thonë se shfaqja më e madhe e mermerit  në botë e ka zanafillën  më shumë 50 vite më parë.

“Kemi rreth 55 vende pjesëmarrëse dhe vizitorë nga më shumë se 130 vende. Është një mundësi e madhe për kompanitë që të bashkëpunojnë. Kjo është një ngjarje B2B, nga biznesi në biznes. Dhe nuk është sasia ajo që ka rëndësi, është dizajni që ne duam. Kemi shumë gurë, edhe gurë nga Shqipëria që janë shumë, shumë të këndshëm dhe janë shumë të përdorur në arkitekturë. Mendoj se interesi është në rritje sepse Shqipëria mund të ofrojë një shumëllojshmëri gurësh”, shprehet Matjaz Zigon.

Teksa vijojnë planet për realizimin e Marmomac edhe në vende të tjera, drejtuesit e panairit nuk e përjashtojnë mundësinë që ky event i madh të zhvillohet në të ardhmen edhe në Shqipëri.

“Tani po shkojmë në Sao Paolo sepse marka MarmoMac është e rëndësishme. Për momentin nuk kemi menduar ta bëjmë këtë në një pjesë tjetër të Evropës. Por kurrë nuk i dihet. Në do të mendojmë për të gjtha mundësitë”.

Mijëra arkitektë inxhinierë vizitorë janë njohur me tendencat më të fundit të materialeve të gurit dhe mermerit nga e gjithë bota.

Me stendën e saj, Stone Albania përfaqësoi denjësisht potencialet që ka Shqipëria në këtë fushë duke konkurruar fuqishëm me cilësinë e lartë.

Tv Klan