Irak8Kryeministri Nuri al Maliki refuzon krijimin e qeverisë së shpëtimit kombëtar për të luftuar në mënyrë më efektive ofensivën e xhihadistëve suni të organizatës për Shtetin Islamik të Irakut dhe Levantit.

Në një deklaratë, ai tha se të tilla propozime vijnë në kundërshtim me Kushtetutën dhe me përvojën demokratike, ndërsa kohët e fundit edhe presioni amerikan për të përfshirë më shumë përfaqësues pakicash në ekzekutiv është shtuar.

Prej 2006 kur Maliki kryesoi për herë të parë qeverinë, kabineti i tij reflekton përpërjen e popullsisë së Irakut,  më shumë se 55% e saj i përket sektit shiit.

Ky konfigurim, për shumë politologë është një nga arsyet e ndarjes së thellë sektare që po përjeton vendi aktualisht.

Në terren luftime të ashpra janë regjistruar prej mëngjesit përreth bazës ajrore në periferi të qytetit Jatrib, rreth 90 kilometra në veri të Bagdadit, ndërsa viktima janë regjistruar nga të dyja palët.

Ndërkaq, thuajse gjysma e kontingjentitn prej 300 forcash speciale trajnuese amerikane – sipas planit të presidentit Barak Obama, ndodhen tashmë në Irak. Pentagoni tha se 40 prej tyre, aktualisht, po asistojnë ushtrinë irakene në frontet e luftës.

Ndërsa, 90 forca të tjera ndodhen në Bagdad dhe janë ngarkuar të ndihmojnë në gritjen e një qendre komanduese operacionale. Mendohet që shumë shpejt të mbërrijnë në Irak edhe pjesa e mbetur e këtij kontingjenti.

OKB ka përllogaritur nga burimet e saj se nga luftimet vetëm në muajin qershor kanë humbur jetën në Irak rreth 1100 persona.

TV KLAN