Karriera 17-vjeçare e Luis Suarez me kombëtaren e Uruguajt do të ul siparin këtë të premte. Sulmuesi i cilësuar si më kontroversi në botën e futbollit ka vendosur të pensionohet nga detyrat ndërkombëtare, për t’i dhënë kështu fund një cikli të mbushur me rekorde dhe skandale.

Luis Suarez, futbollist i Uruguaj: Është e vështirë, por më jep qetësi që deri në ndeshjen e fundit kam dhënë gjithçka. Kontributi dhe energjia ime nuk është shuar pak nga pak. Kjo është arsyeja pse mora vendimin në këto momente.

Në një karrierë fenomenale, emri i 37-të vjeçarit ka përfunduar jo pak herë në vorbullën e akuzave, shpesh të racizmit, por edhe të kafshimit të rivalëve. Luis Suarez është përjashtuar në tre raste pasi përdori dhëmbët për të nënshtruar kundërshtarët, si në nivel klubi ashtu edhe ndërkombëtar.

Gjithçka e nisur në vitin 2010, ku mori epitetin “Kanibali i Ajaksit” pas kafshimit të Bakkal në shpatull. Incident që u përsërit edhe me italianin, Giorgio Chiellini. 

Sulmuesi i Inter Miami është gjithashtu ndër golashënuesit më të mirë që sporti ka prodhuar ndonjëherë dhe më i miri i kombëtares së Uruguajt me 69 gola të realizuar në 142 ndeshje. Antologjia e bëmave të karrierës së tij përmblidhet më së miri nga pseudonimet e shumta.

Më i vjetër lidhet me festimin e golit, duke fituar emrin “El Pistolero” për gjakftohtësinë e tij para portës, ndërsa pritja e topit me dorë në vijën fatale e shndërroi Syarez në armikun e popullit ganez. 37-vjeçari bëri debutimin me kombëtaren e Uruguajt në vitin 2007 dhe ishte kyç në skuadrën që arriti në gjysmëfinale të Kupës së Botës 2010 dhe fitoi Kupën e Amerikës një vit më vonë.

Uruguai do të përballet me Paraguajin në stadiumin Centenario në Montevideo të premten në kualifikimet e Amerikës së Jugut për Kupën e Botës 2026.

Klan News