Vendimi, në shenjë proteste kundër uljes së pagave

Një ditë pas uljes së pagave për prokurorët dhe gjyqtarët, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thotë se kjo ka ndodhur pasi në kohën e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, ky vendim është konsideruar anti-ligjor. Sipas saj, ligji i pagave do të bëjë nivelizim të pagave dhe si i tillë nuk mund të konsiderohet anti-Kushtetues.

Albulena Haxhiu- Ministre e Drejtësisë: Siç e dini në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, janë shfuqizuar dy ligje dhe qëllimi i tyre është që të bëhet reforma në administratën publike dhe të mos bëhet dallime në paga.

Këtë vendim e ka kundërshtuar LDK-ja duke e konsideruar si goditje në sistemin e drejtësisë.

Shkëmb Manaj- LDK: Kjo është qeveria e vetme në botë që në kohë të inflacionit i ul pagat, kjo është një nga goditjet më të rënda. Vendimi skandaloz cënon punën edhe ashtu të cënuar, ulja e pagave nënkupton ikjen nga sistemi i drejtësisë, nënkupton ngadalësimin e trajtimit të rasteve.

Ish-kryeministri Haradinaj ka thënë se kryeministri duke përgjysmuar pagat për prokurorët dhe gjyqtarët ka goditur mbrojtjen e shtetit dhe drejtësisë. Shoqata e Prokurorëve përkrah vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për reduktimin e punëve të prokurorive vetëm me shërbime esenciale.

Edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka përcaktuar listën e shërbimeve esenciale që do të kryhen nga gjykatat deri më 8 Dhjetor.

Tv  Klan