Probleme me dëmtimet edhe tek kombëtarja e 21-vjeçarëve. Tekniku Alban Bushi ka ndryshuar sërish planet në kuadër të përgatitjeve për sfidën kualifikuese të Kampionatit Europian “Sllovaki 2025” kundër Zvicrës.

Kështu, ndaj Helvetëve, do të mungojnë mesfushori Dejvid Janaqi dhe sulmuesi Kristian Shpendi. Dyshja nuk do të jetë në dispozicion për takimin e kësaj të premte për shkak dëmtimi.

Bushi ka afruar futbollistin Ardit Nikaj për t’u bashkuar me Kombëtaren U-21. Sulmuesi është vendosur menjëherë në dispozicion të skuadrës dhe do të jetë i gatshëm për të dhënë kontributin e tij në takimin ndaj Zvicrës.

Mungesa të rëndësishme pasi i shtohet edhe atij të Adrian Bajramit, i cili u vendos në urdhrat e trajnerit Sylvinho pas tërheqjes muskulare që pësoi kapiteni Berat Gjimshiti.

Ndeshja Zvicër U-21 – Shqipëri U-21 do të luhet më 6 Shtator në orën 19:30 dhe vlen shumë për të dy kombëtaret.

Helvetët kryesojnë grupin E me 14 pikë pas 6 sfidave, duke qenë kandidate për dy biletat që të kualifikojnë më tej.

Ndërkaq, kuqezinjtë e vegjël kanë grumbulluar 10 pikë pas 8 përballjeve dhe për të shpresuar tek raundi tjetër i Europianit kryqëzon gishtat për hapa fals të rivalëve.

Takimi i shkuar zhvilluar në “Air Albania” mes dy kombëtareve u fitua nga Zvicra me shifrat 3-1, në një 90 minutësh ku golin e vetëm kuqezi e shënoi Stiven Shpendi.

Klan News