Maqedonia e Veriut drejt gjendjes së krizës

Maqedonia e Veriut drejt gjendjes së krizës

18:02 19/11/2020

Presidenti: Situata, jashtëzakonisht serioze

Rritet numri i pacientëve që ndërrojnë jetë nëpër covid-spitalet, kurse paraprakisht nuk kanë pasur sëmundje kronike. Sipas analizës së fundit të ISHP-së, tek 30% apo 407 viktima nuk janë regjistruar sëmundje shoqëruese. Nëse para një muaji autoritetet shëndetësore deklaruan se 85% e rasteve fatale kanë pasur edhe diagnoza tjera, tashmë shifrat ndryshojnë. Shqetëson edhe e dhëna se 78 pacientë kanë ndërruar jetë para se të arrijnë te mjeku.

Duke para situatën serioze me Covid-19, krerët më të lartë të vendit, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë kanë propozuar shpalljen e situatës së krizës në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut, për 30 ditë.

“Ministri Filipçe njoftoi për kapacitetet spitalore dhe për riorganizimin e kuadrit të pranimit të pacientëve të infektuar. Situata është jashtëzakonisht serioze. Në këtë drejtim, pas një diskutimi të hollësishëm sollëm konkluzionin që të shpallet situata e krizës në gjithë territorin e vendit në afat prej 30 ditësh”.

Kryeministri Zoran Zaev ka theksuar se sonte ose më së voni deri nesër, qeveria do të shpallë situatën e krizës.

Kjo do të thotë se Armata e vendit do të kyçet në përballjen me Covid-19, gjithashtu edhe të gjitha kapacitetet dhe kuadri i spitaleve private do të vihen në dispozicion të shtetit.

Kjo do të jetë hera e parë që në Maqedoninë e Veriut të shpallet situatë krize në të gjithë territorin e vendit. Një situatë e këtillë ishte shpallur vetëm në rajonet e kufirit jugor dhe lindor për shkak të valës së emigrantëve.

Tv Klan



Të ngjashme