Policia Rrugore e Tiranës ka marrë urdhër të rrisë numrin e efektivave në patrullim për të shmangur aksidentet dhe problemet sidomos për mjetet që qarkullojnë me pushues. Rritja e fluksit të mjeteve për shkak të sezonit të pushimeve, ku mjaft kosovarë dhe emigrantë shqiptarë kanë ardhur në Shqipëri për të pushuar, është shoqëruar me probleme në trafik dhe me rritje të aksidenteve. Mjaft prej tyre shkaktohen nga drejtues që lëvizin në gjendje të pirë dhe pa respektuar rregullat. Për këtë Komisariati i Policisë Rrugore për Tiranën ka marrë disa masa.

“ Në të gjitha oraret e ngarkuara gjatë ditës, për shkak të fluksit për sezonin veror, i kemi organizuar me shërbimet suplementare për një rrjedhshmëri normale të trafikut dhe për një siguri rrugore në vetvete.”

Ditë më parë zëvendëskryeministri shqiptar kërkoi masa të menjëhershme në lidhje me rrezikshmërinë e aksidenteve rrugore, pasi Shqipëria rezulton si vendi me nivel më të lartë të aksidenteve në rajon. /tvklan.al