Mazhoranca reagon pas deklaratave të kreut të socialistëve Edi Rama dhe thirrjes që ky i fundit i bëri organeve të prokurorisë për të hetuar aferat korruputive që sipas tij, ministri i Jashtëm Lulzim Basha ka bërë në kurriz të qytetarëve me rrugën Durrës-Kukës. Në një dalje për mediat, zëdhënësi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Aldo Bumçie, e akuzoi Ramën për presion ndaj institucioneve të pavarura dhe institucionit të akuzës.

Aldo Bumçi: “Me këtë qëndrim Rama dëshmoi si urrejtja patologjike për kundërshtarin, ashtu dhe tmerri dhe terrori i tij për veprën e shekullit, e shtynë atë gjer në akte ekstreme, si sekretar i Partisë Socialiste, ish-komuniste të urdhërojë prokurorinë të ndërmarrë veprime sipas dëshirës së tij. Rama mund të organizojë mitingje për të shpallur të vrarë qytetarë që kanë vdekur në aksidente automobilistike, mund të urdhërojë mediat që kontrollon për të shpallur të arrestuar qytetarë të lirë të rajonit edhe kontinentit, por nuk mund të përdorë institucionet e një vendi të lirë për tu shëruar nga ankthet dhe makthet që ja nxijnë shpirtin çdo ditë.”

Edhe demokratët e Pollos kanë reaguar nëpërmjet nënkryetarit të tyre, duke akuzuar segmente të caktuara brenda opozitës që kërkojnë të interferojnë në punën e organeve të drejtësisë.

Tritan Shehu: “Dua direkt të akuzoj segmente të opozitës për përpjekje për të penguar luftën kundër korrupsionit nga njëra anë dhe gjithashtu dëshiroj të akuzoj segmente të opozitës për përpjekje për të interferuar dhe për të penguar punën e organeve të drejtësisë. Kush ka akuza, kush ka prova, t’ia dorëzoj organeve të drejtësisë, kjo është rruga më e mirë. Të heqim dorë nga thashethemnajat e mëdhaja, të cilat veçse bllokojnë punën normale të organit të drejtësisë dhe veçse krijojnë një terren të favorshëm për zhvillimin e korrupsionit.”

I menjëhershëm ka qenë reagimi i socialistëve pas deklaratës së bërë nga  Aldo Bumçi, zëdhënësja e kryesisë Mimi Kodheli ka kërkuar nga  Bumçi që të drejtohet pranë organeve të prokurorisë pas aferave që sipas saj ai ka bërë gjatë kohës kur drejtonte ministrinë e drejtësisë.

Mimi Kodheli: “Aldo Bumçi nuk mund t’i tregje opozitës detyrën e saj, në fakt ai duhet t’i tregojë prokurorisë se si ka abuzuar me detyrën gjatë kohës që ka qenë ministër i drejtësisë nëpërmjet shkresave që i hapën rrugë trafikut të armëve dhe tragjedisë së Gërdecit, po me aq zell sa Aldo Bumçi mbështet kryeministrin në aferat e tij, duhet ët jetë i zellshëm edhe përpara fakteve dhe argumenteve kokëfortë të cilët kanë treguar se abuzimi me detyrën ka qenë një gjë për ët cilën ai duhet të përgjigjet.”/tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro

Operator: Petrit Xhaferri