Manastirliu: Covid 3 dhe Covid 4 s’kanë pacientë

Shqipëria ka marrë një tjetër kontigjent vaksinash “Astra Zeneca”, duke çuar në 490 mijë numrin total të dozave të marra që nga nisja e procesit në fillim të këtij viti.

Teksa së bashku me ministrin e Rindërtimit Arben Ahmetaj, priti vaksinat në aeroportin e Rinasit, ministrja e Shëndetësisë bëri të ditur se ato do të përdoren për të moshuarit.

“Sot kanë mbërritur edhe 50 mijë doza të vaksinës AstraZeneca, të cilat menjëherë do të shpërndahen në të gjithë qendrat shëndetësore dhe qendrat masive të vaksinimit, për të vijuar vaksinimin masiv të popullatës mbi 60 vjeç”.

Gjithashtu me mbërritjen edhe të sasive të tjera të vaksinave gjatë javës në vazhdim, pritet të vijojë procesi i punonjësve turistik dhe atyre të transportit të udhëtarëve.

Javën që vjen, presim mbi 200 mijë doza vaksine. Po vijohet me operatorët turistikë, dhe do të shtrihemi javën e ardhshme edhe në targetin e punonjësve të transportit publik”, nënvizoi Manasirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se për shkak të përmirësimit të situatës së pandemisë në spitalet COVID 3 dhe COVID 4 aktualisht nuk ka më pacientë.

Tv Klan