Për tre ditë radhazi në Durrës, anija shkollë e Marinës italiane “PALINURO” do të presë vizitorë kureshtarë.

Anija do të jetë e hapur për të gjithë, duke u ofruar mundësinë për tu njohur me historinë e saj dhe të marinës italiane. Në ditën e parë të qëndrimit në Portin e Durrësit, interesin më të madh për ta parë nga afër e treguan turistët e huaj.

“Kam punuar 8 vite në Marinë, i njoh shumë mirë anijet. Banoj këtu dhe erdhëm ta shohim”.

“Morëm vesh në internet për ardhjen e anijes dhe erdhëm ta shohim. Të dy gjyshërit e djalit tim kanë qenë oficerë dhe ai dëshironte patjetër të vizitonte anijen. Është fantastike, e pabesueshme.”

Anija shkollë e marinës italiane mbart në bordin e saj studentët e vitit të dytë të kursit për marshall në kategorinë e timonierëve të Shkollës së Nënoficerëve të Tarantos.

“Jemi duke trajnuar studentët tanë të detarisë të shkollës “Francesco Morosini”si dhe ata të vitit të 2° të kursit për marshall, në kategorinë e timonierëve. Meqë trajnimi po kryhet në detin Adriatik menduam se ishte një mundësi shumë e mirë të ndaleshim në Durrës, për t’u prezantuar qytetarëve durrsakë anijen tonë. Në bord kemi aktualisht 13 studentë, por numri i tyre varion nga 10 deri në rreth 60 studentë, që trajnohen për një periudhë të caktuar në anije.”

Anija shkollë, e ankoruar në kalatën nr. 2 në portin e Durrësit, është ndërtuar në një kantier francez në vitin 1934 dhe numëron 90 vite në det. Anija shkollë “Palinuro” do të jetë e hapur për publikun deri të enjten në orën 11:30, pas së cilës do të nisë udhëtimin drejt Mesinës në Itali.

Tv Klan