Kryeministri Edi Rama zhvillon këtë të enjte një interpelancë ku i përgjigjet pyetjeve të opozitës në lidhje me mbetjet toksike. Sipas tij ligji dhe konventat ndërkombëtare ia ngarkojnë ekskluzivisht eksportuesit dhe importuesit deklarimin e ngarkesës si mall i rrezikshëm apo jo. Prandaj sipas tij është absurd pretendimi, të cilën ia ngarkon këtë përgjegjësi institucioneve publike.

“Në çdo rast konventat ndërkombëtare parashikojnë qartësisht se deklarimi i ngarkesës si mall i rrezikshëm apo mbetje e rrezikshme është detyrim ekskluziv i eksportuesit apo importuesit. Çka duhet të evidentohet përmes dokumentacionit shoqërues të marrë nga prodhuesi, analizat dhe autorizimet bashkëlidhur. Edhe në këtë rast dhe edhe në rast se eksportuesit kanë kryer ndonjë mashtrim, nuk janë politikanët dhe aq më pak janë tellallët e penxhereve dhe tenxhereve të politikës së Tiranës që mund të ndajnë zbatimin e ligjit nga shkelja e tij. Janë organet hetimore ligjzbatuese të cilat si gjithnjë ne i mbështesim pa kushte sepse për ne janë institucione të drejtësisë, nuk janë sipas oreksit institucionet e drejtësisë apo organizata kriminale në të njëjtën kohë. Është tërësisht absurd pretendimi që përgjegjësitë e qarta të cilat ligji dhe konventat ndërkombëtare ia ngarkojnë ekskluzivisht subjekteve prodhuese, përpunuese, depozituese dhe eksportuese të thashemnohet ligësisht si përgjegjësi administrative e institucioneve publike”, tha Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se edhe në Shqipëri është normale që të prodhohen mbetje nga proceset industriale dhe teknologjike. Sipas tij ato trajtohen sipas ligjit.

“A prodhohen mbetje nga proceset industriale nga teknologjike në Shqipëri? Sigurisht që po dhe është mëse normale. Si politika që ka prodhuar mbetje, çdo proces prodhon mbetje. Këtu jemi në rastin kur mbetjet prodhojnë politikë. Ka mbetje të rrezikshme dhe jo të rrezikshme. A ka një kontroll ndaj këtyre lëndëve të rrezikshme? Patjetër. Mbetjet e rrezikshme sipas ligjit trajtohen nëpërmjet procesit të rikuperimit, të riciklimit të asgjesimit sipas metodave ligjore të përcaktuara”, u shpreh Rama./tvklan.al