Kryeministri Edi Rama mohoi akuzat e opozitës se nga Porti i Durrësit u eksportuan mbetje të rrezikshme drejt Tajlandës. Sipas Ramës, eksportimi i mallrave në fjalë nuk është eksport mbetjesh të rrezikshme. Ai u shpreh se ndërkohë që prokuroria është ende duke hetuar nëse ato mbetje janë ose jo të rrezikshme, nga opozita janë gjetur fajtorët.

Kryeministri theksoi se ngarkesat kanë qëndruar dhe janë magazinuar përkohësisht në vendet e BE-së, ku askush nuk i ka penguar dhe më pas janë lejuar të vijojnë normalisht itinerarin e tyre.

Kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi tha se mbi 816 ton mbetje të rrezikshme që u transportuan drejt Tajlandës me dy anije në 100 kontenierë po kthehen në portin e Durrësit.

Bardhi u shpreh se ngarkesa në anijet që u nisën nga Porti i Durrësit sipas organizatave mjedisore ishte pluhur i furrës, një produkt mbetjesh të rrezikshme që zakonisht vjen nga riciklimi i skrapit të çelikut dhe përmban okside metalike toksike të dëmshme për shëndetin dhe mjedisin.

Sipas Bardhit nuk kemi të bëjmë më një ngjarje të izoluar, por me një aktivitet të mirëfilltë kriminal.

Klan News