Mblidhet sot Komisioni për Reformën Territoriale, çfarë do propozojë opozita?

Mblidhet sot Komisioni për Reformën Territoriale, çfarë do propozojë opozita?

09:35 03/10/2022

Këtë të hënë pritet të mblidhet Komisioni për Reformën Administrative Territoriale ku do të lexohet raporti i opozitës. Në një lidhje ‘live’ për Klan News gazetarja Klesiana Omeri, ka treguar se çfarë pritet të përmbajë raporti.  Sipas gazetares pritet të jenë në fokus propozimet për ndarjen territoriale duke shtuar numrin e bashkive, ndërsa është ende herët për të thënë se cilat do të jenë propozimet konkrete.

Klesiana Omeri: Agjenda e ditës së sotme në Komisionin e Posaçëm të Reformës Territoriale do të ketë në fokus një raport paraprak të hartuar nga ekspertët e opozitës mbi propozimet që deri më tani janë bërë për ndarjen territoriale nga ana e tyre. Nuk ka asnjë ndryshim nga ai që është bërë publik nga ana e Partisë Demokratike, pasi pritet që sërish të jenë në fokus propozimet për ndarjet territoriale duke shtuar numrin e bashkive deri në 96 bashki. Ndërkohë nga ana e Partisë Socialiste është ende herët  për të thënë se cilat do të jenë propozimet konkrete në kushtet kur ka pasur një ndryshim qëndrimi.  Fillimisht Partia Socialiste u ul në tryezë me idenë për të bërë disa ndryshime territoriale, por më pas ndryshoi mendim duke argumentuar se pas konsultimit me ekspertët ishin dakordësuar të mos prekej ana territoriale.  Së fundmi ka sërish një tjetër ndryshim nga ana e Partisë Socialiste, pasi kanë lënë hapësirë për bashkëpunim edhe me opozitën, por jo për 96 bashki, sa ka kërkuar opozita. Do mbetet për t’u parë gjatë ditës së sotme, nëse do ketë një numër konkret se sa është numri i bashkive që mund të lëshojnë në këto diskutime. Brenda këtij muaji pritet të përfundojë edhe afati i këtij komisioni, pasi u zgjat deri në 21 Tetor ndërkohë që afati ishte për të përfunduar në 30 Shtator./tvklan.al





Të ngjashme