Kalimi në Greqi pas kryerjes së testit anti-COVID në Kakavijë

Greqia ka mbyllur për një afat të pacaktuar disa pika kufitare me vendet fqinje për shkak të rritjes së madhe të numrit të rasteve të të infektuarve.

Plani i masave parashikon që pika kufitare e Kapshticës të mbyllet nga kjo e premte në orën 6 të mëngjesit, ndërsa do të mbetet e hapur ajo e Kakavijës.

Por në këtë pikë kufitare, kalimi i shtetasve shqiptarë do të bëhet pasi këta t’i jenë nënshtruar një testi të shpejtë për COVID. Në bazë të rezultatit, nëse një shtetas që hyn nga Shqipëria rezulton negativ ai do të lejohet të kalojë në territorin grek. Në rast të kundërt, do të kthehet në Shqipëri.

Zëdhënësi i qeverise greke tha se krahas testit PCR që qytetarët shqiptarë që hyjnë në Greqi duhet të disponojnë, nga ana e autoriteteve greke do të kryhet edhe një rapid test.

Në kuadër të shtrëngimit të masave për të parandaluar përhapjen e COVID, qeveria greke ka mbyllur edhe pikën kufitare në Nimfea, ku do të kalojnë vetëm kamionët, ndërsa ka mbyllur ato në Evzonoi dhe në Promahona. Kufijtë ajrorë mes vendit tonë dhe Greqisë mbeten të hapur njësoj si më parë.

Vendimi i qeverisë greke vjen për shkak të rritjes së ndjeshme të infektimeve në veri të vendit i cili është futur në zonën e kuqe.

Tv Klan