Viti 2020, ishte një vit i lumtur dhe i vështirë për Alidën, të ftuarën e “Ka Një Mesazh Për TY”. Më në fund ajo u pajis me dokumentacion anglez, festoi 40-vjetorin dhe nga ana tjetër, zbuloi se ishte e sëmurë nga kanceri i gjirit. Në këtë moment të vështirë, pranë saj gjendej shoqja e ngushtë, motra e saj e gjetur, Entela, e cila bënte pjesë në grupin e atyre pak njerëzve që ishin në dijeni të kësaj. Alida rrëfen në programin “E diela shqiptare” në Tv Klan përballjen e saj me sëmundjen, por edhe sakrificat e Entelës për të.

Alida: Bëra kimioterapi, më ranë flokët, bëja make up, vendosja paruke që mos të dukesha se isha e nxirë komplet dhe asnjëherë prindërit e mi nuk dyshuan asgjë. Deri në momentin kur vitin e kaluar në verë kur erdha iu tregova përballë çdo gjë.

Ardita Gjebrea: Po Tela?

Alida: Tela kur flisja në telefon ishte shumë mbështetëse, më jepte shumë kurajo, “do e kalojmë, do bëhesh mirë”, por në momentin që takoheshim, duhej unë t’i jepja forcë asaj. Tela ka kaluar shumë gjatë asaj periudhe, ka lënë punën shumë herë sa erdhi një pikë që rrezikoi të humbiste punën që kishte 12 vjet.

Ardita Gjebrea: Pse?

Alida: Një ditë të bukur, flet me mua, unë isha në gjendjen time depresive nga ilaçet, marr Telën, ajo më shikon që s’jam mirë dhe ma mbyll telefonin, i thotë menaxherit të saj që “unë do shkëputem, do iki se motra ime është sëmurë”. Ai i thotë “ti ke bërë shumë mungesa këto kohët e fundit për arsye të motrës, ti je në punë, s’mund të bësh të njëjtën gjë çdo ditë”. Entela i thotë “unë nuk e marr parasysh se ç’do thuash, unë jam e lumtur të kthehem tek puna, por sot unë do iki se motra ime ka nevojë për mua”.

Fatmirësisht, sot Alida është në fazën e rikuperimit nga sëmundja dhe pjesa më e vështirë ka kaluar./tvklan.al