Kërkoni të blini apartament, çmimet nuk po ulen pavarësisht se një numër i madh ndërtimesh të përfunduara kanë mbetur pa u shitur. Vlera e këtyre banesave përllogaritet në rreth 150 milion euro, të cilat në kushtet kur klientët hezitojnë të blejnë mbeten të ngrira, megjithatë ndërtuesit thonë se nuk do të ulin çmimet.

“Këto apartamente të cilat aktualisht janë në gjendje që nuk shiten mund të them 70-80% e tyre ndodhen në zonat Tiranë, Durrës. Janë ndërtuar në një periudhë në vitin 2006, 2007, 2008 kur çmimet e lëndëve të para kanë qenë të larta, kompanitë e ndërtimit nëse arrijnë të ulin çmimin do të thotë që do të shiten nën kosto. Do të kemi prapë të njëjtën situatë gjysmë falimentimi.”

Sipas Bankës së Shqipërisë për herë të parë pas gati 5 vjetësh 2008 shënoi frenimin e rritjes 2 shifrore të çmimeve të apartamenteve, kjo falë rritjes së ofertës  nga dhënia e më shumë lejeve për ndërtim.

Fjorald Zguro: “Këtu gjendemi në zonën e Yzberishtit në Tiranë ku ndodhet vetëm një pjesë e vogël e 4 mijë apartamenteve ende të pa shitura sipas shoqatës së ndërtuesve. Ndërtuesit thonë se nuk janë të gatshëm të ulin çmimin e apartamenteve vetëm në rastet kur ka nevojë për likuiditet.”

“Çmimin e apartamenteve natyrisht e kemi me një detyrim të pashmangshëm kur kemi detyrime ndaj të tretëve për të ulur çmimin e apartamenteve sepse po të ulim më shumë pastaj i bie që të punojmë nën kosto.”

Agjencitë imobiliare konfirmojnë se çmimet e apartamenteve kanë muaj që nuk ndryshojnë. Megjithatë po të kemi parasysh dobësimin e monedhës vendase ndaj euros me të cilën kuotohen përgjithësisht pronat, banesat kushtojnë tashmë më shumë në lek.

“Nuk na rezulton që të ketë një ulje të çmimit të pronave të patundshme në Shqipëri. Përkundrazi çmimet janë ose stabël ose ka një rritje të lehtë të çmimit. Në qoftë se do ta shohim edhe nën efektin e rritjes së euros e cila është monedha në të cilën pra çmimet e apartamenteve përllogariten, ne do të thonim që ka një rritje të lehtë të çmimeve e cila të paktën është rreth 8-10|% sa çka qenë edhe rritja e vlerës së euros në krahasim me lekun.”

Edhe pse për momentin qytetarët po ngurojnë të blejnë sipas agjencive imobiliare kërkesa për apartamente mbetet e lartë, madje këtu ndikon edhe interesi i të huajve për prona në vendin tonë, duke bëtë që çmimet të vijojnë trendin rritës edhe në të ardhmen./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro