Pas miratimit të emrave të rinj të kabinetit qeveritar, ministrat e rinj janë betuar në Presidencë. Dy ditë pas propozimeve të kryeministrit Rama nga Kongresi i Partisë Socialiste për të ndryshuar kabinetin qeveritar, Presidenti Bajram Begaj dekretoi emrat e rinj të ekzekutivit.

Pas verifikimit, kreu i shtetit ndezi dritën jeshile për shkarkimin e Taulant Ballës si ministër i Brendshëm dhe dekretoi emërimin në këtë detyrë të Ervin Hoxhës. Ky i fundit mbante postin e kreut të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtes së Territorit, ndërsa më herët ka qenë drejtor i Shërbimit të Provës.

Presidenti Begaj i dha fuqi ligjore shkarkimit të Niko Peleshit si ministër i Mbrojtjes dhe dekretoi në vend të tij Pirro Vëngun, i cili mbante detyrën e drejtorit të Autoritetit Portual të Durrësit, i cili ka shërbyer gjithashtu edhe si shef i kabinetit të kryeministrit Edi Rama.

Ndërkohë, kreu i shtetit ka dekretuar edhe shkarkimin e Ervin Metes si ministër i Financave dhe emërimin e Petrit Malajt në këtë pozicion. Para pak muajsh, Malaj ka mbajtur postin e kreut të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.

Gjithashtu, Presidenti Begaj dekretoi edhe shkarkimin e Elisa Spiropalit si ministre e Shtetit për Parlamentin dhe emërimin e Ballës në këtë post. Pas dekretimeve nga ana e kreut të shtetit, Kuvendi u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme dhe miratoi ndryshimet e reja në qeveri./tvklan.al