Me 75 vota pro e 4 kundër është miratuar zgjedhja e Elisa Spiropalit në krye të Kuvendit të Shqipërisë. Mes zhurmës së krijuar nga opozita, Spiropali mbajti fjalën e parë si kryeparlamentare.


E cilësoi një moment “kyç” në jetën e saj politike, duke falenderuar qytetarët, kryeministrin Edi Rama për besimin dhe gjithë kolegët e mazhorancës.

“Të nderuar kolegë e kolege deputete, të dashur qytetarë, do kërkoja mirëkuptimin tuaj për këtë fjalë dhe pastaj vijojmë me debate në sesionet e tjera. Mirënjohja është një fjalë që në gjuhën e dikujt që merret me politikë tingëllon si trokitja e një gote kristali fallco, siç tingëllojnë të gjitha fjalët kyçe të bashkëjetesës sociale ku bashkëjetesa politike është territor i mbuluar me re të zeza gjykimesh e paragjykimesh të frikshme. Edhe përtej këtij territori, mirënjohja ka hyrë në garderobën e kostumeve të kohëve të vjetra, jashtë mode. Mirënjohjen që e kam kuptuar si detyrim, sot e ndjej si shtysë për të bërë më shumë se sa kam mundur. Jam e prekur si asnjëherë më shumë në jetën time të shkurtër apo të gjatë publike, varet nga këndvështrimi. Faleminderit me zemër! E dimë mirë që ky është ushtrim jashtëzakonisht i vështirë politik, social, sa personal aq edhe kolektiv, por jam e qartë. Çfarë shkon mirë është e juaja, çfarë shkon keq është e kujtdo që e ngjisni këtu lart. Megjithatë kjo më motivon. Mirënjohje qytetarëve që më sollën këtu në 2017-ën dhe më risollën në 2021-in si deputete. Mirënjohjen ua kam sot e gjithmonë secilit koleg dhe kryetarit të kësaj shumice, kryeministrit, njeriut më të pakënaqur nga vetja e ne, që më besoi detyrën e kryeshërbëtorit për Shqipërinë e sotme dhe Shqipërinë e vitit 2030.”

Një falenderim të veçantë e pati për Lindita Nikollën, e cila e mbajti për 3 vite këtë post.

“Në këtë situatë atipike për mua, duke patur parasysh 3 vitet e mandatit të qeverisjes një shkallë më poshtë, dua të falenderoj me zemër zonjën grua që zëvendësova sot. E dashur Lindita, gjatë këtyre 3 viteve e drejtove Kuvendin me përkushtim e urtësi që më është dukur e mbinjerëzishme. Sot kam një zili të sakëlldisur ndaj jush nga krahasimi që do më bëhet me ju. Do përpiqem modestisht të të ngjaj dhe uroj të të afrohem sadopak në durim.”

Për opozitën, me të cilën përplasjet i ka pasur të shpeshta, “shtriu dorën” për bashkëpunim.

“Do t’ju shoh njësoj përballë, por nuk do të më keni përballë! Dhe ky është premtim, lutem që të jem thjesht e para mes të barabartëve. Uroj të ketë debate, jo sherrnaja. Argument mendjesh, jo dalje nga mendtë. Jo përballje piroteknike. Këto shpresoj të jenë emëruesi i përbashkët nën këtë tavan që i ka parë të gjitha. Po ju drejtohem për herë të parë, dua të më ndihmoni ta mbaj këtë premtim!”

Megjithatë nuk përjashtoi mundësinë që bindjet e saj të kahershme mund t’i deklarojë sërish nga foltorja.

“Nëse do ndërhyj si palë nuk do e bëj nga këtu, por do zbres në foltore. Forca dhe trysnia e traditës, bindjet e mia të pandryshueshme dhe shpesh të papajtueshme me pakicën janë një peshë nga e cila vështirë se mund të ndahem e në fakt as nuk dëshiroj të ndahem. Por besoj se do e kryej detyrën me paanësinë që kjo detyrë e lartë kërkon. Kolegë të mazhorancës, unë nuk do jem me ju kur opozita do të jetë në të drejtën e saj, që mund të mos jetë e drejtë në këndvështrimin tuaj. Rritja e përgjegjësisë, transparencës dhe llogaridhënies do jetë prioritet i Kuvendit.”

“Më lejoni të ndaj një ndjesi të brendshme, ndihem e përulur, por jo e shtypur nga pesha e besimit që m’u dha. Dera e zyrës time do jetë e hapur për cilindo nga kolegët, të majtë apo të djahtë. Për ujë e kafe, për qetësi e durim. Hapësirë lirie për përgatitjen e seancave dhe garantimin e kushteve për ushtrimin e detyrës së deputetit. Sa më shumë debat sy më sy, aq më pak sherr e kacafytje në syrin e publikut që është neveritur duke dëgjuar palo komunikimet me gishta në vesh.

Nëse do të gjejmë mirëkuptim, nuk kam asnjë dyshim që nuk do ketë pikë e presje që do na ndajë nga mënyrat e ndryshme si ne gjykojmë se kryejmë detyrën tonë. Pavarësisht ndarjeve thelbësore që kemi demonstruar me njëri-tjetrin, papajtueshmërive shpesh ekstreme, përtej tyre secili ndan bindjen se nxitja e reformave për të ecur përpara, fuqizimi i institucioneve të pavarura, konsolidimi i vlerave të institucioneve demokratike, si mjete të pazëvendësueshme për përshpejtimin e anëtarësimit në BE do jetë harta dhe orientimi ynë i vetëm.

Le të tregojmë se jemi patriotë të denjë! Mos ta konsiderojmë bashkëpunimin si dobësi apo detyrim, por instikt të brendshëm. Unë do jem e përkushtuar që Kuvendi të ushtrojë procesin duke garantuar legjitimitetin demokratik dhe gjithëpërfshirjen. Ju lus të gjithëve, të jemi sëbashku më shumë patriotë dhe më pak partiakë! Premtoj se do jap pa kursyer më të mirën në ushtrimin e kësaj detyre. Na priftë e mbara në sesionin tjetër!”, mbylli fjalën e saj Spiropali.

E.D/tvklan.al