Ministri i mbrojtjes Gazmend Oketa ka zhvilluar vizitën e parë të nivelit të lartë në SHBA kjo pas marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO. Për dy ditë shefi i mbrojtjes kreu takime me zyrtarë të lartë në Shtëpinë e Bardhë, në Pentagon dhe në Separtamentin e Shtetit.

Gjatë takimit me zëvendës sekretarin e departamentit të mbrojtjes zotin Gordon England, ministri shqiptar i mbrojtjes i shpalosi reformat e forcave tona të armatosura. Si dhe angazhimin e tyre paqeruajtës në mjaft vende të botës.

Gazmend Oketa: “I shpreha në radhë të parë falënderimin e qeverisë shqiptare të popullit shqiptar, timin personale të të gjithë ministrisë së mbrojtjes për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë zoti England dhe Departamenti i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara për marrjen e ftesës në NATO. U  diskutua lidhur me prezencën tonë në Irak, Afganistan, është kënaqësi që në Pentagon të dëgjosh vlerësimet maksimale për ushtarakët tanë.”

Pas këtij takimi ministri Oketa ka vizituar varrezat e Arlingtonit, ku në nderim të të rënëve të kombit të shteteve të bashkuara ka vendosur një kurorë me lule. Pjese e agjendës së shefit shqiptar të mbrojtjes gjatë vizitës në Washington ishte dhe takimi mes zëvendëssekretarin e Departamentit të Shtetit, ambasadorin John Negroponte. Me të cilin ka ndarë vlerësimin e jashtëzakonshëm që SHBA i ka dhënë vendit tonë si partneri më i rëndësishëm jo vetëm në fushën e mbrojtjes, por edhe në atë politike e ekonomike e kështu me radhë.

Ministri Oketa është takuar edhe me senatorin Richard Lugar si dhe mjaft zyrtarë të tjerë të lartë në Departamentin e Shtetit./tvklan.al