Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Rruga Durrës-Kukës do të nisë punimet në fund të këtij viti, ndonëse financimet për të ende nuk janë siguruar. Segmenti i parë nga do të nisë rruga për të cilin ka përfunduar projekti është Milot-Rrëshen.

Spartak Poçi:- “Jemi duke ecur shpejt, por me kujdes, për të zhvilluar gjithë etapat e procedurat juridiko-teknike dhe administrative, me qëllim që në muajt e fundit, dy muajt e fundit të vitit ne të fillojmë punimet në këto objekte të rëndësishme”.

Studimi i fizibilitetit të rrugës Durrës-Kukës, nuk ka përfunduar ende dhe ekspertët nuk kanë përzgjedhur asnjë nga tre variantet e propozuara, ndërkohë që financimet e rrugës, janë në një nivel shumë të ulët në krahasim me koston, e cila shkon nga 250-400 milion dollarë. Ministri Poçi mendon, se ndërtimi i fillimit të rrugës nuk konsiderohet i guximshëm pa siguruar fondet e plota.

Spartak Poçi:- “Financimi i kësaj rruge është pothuajse i siguruar, nëpërmjet ligjit për taksën e veçantë që ka kjo rrugë, dmth. duhet të bëjmë vetëm disa përpjekje për të thithur financime të tjera për të shpejtuar ritmet, me qëllim që të mos pritet grumbullimi i taksës dhe pastaj të vazhdohen punimet, por rruga të atakohet në disa segmente njëherësh”.

Ndërkohë, ka përfunduar tenderi për ndërtimin e segmentit Fier-Tepelenë, pjesë e korridorit veri-jug, që ka një kosto prej 43 milion eurosh dhe është një investim i Bankës Europiane të Investimeve. Ndërtimi i kësaj rruge do të zgjasë tre vjet dhe do të ketë degëzim edhe në Kakavijë./tvklan.al