Ministra e Mbrojtjes njofton zyrtarisht se ka përfunduar operacioni i kërkimit-shpëtimit në Durrës dhe Thumanë, dy zonat që u goditën rëndë nga tërmeti i 26 Nëntorit. Gjatë kërkimeve që zgjatën tre ditë, nga rrënojat u nxorrën 50 trupa të pajetë.

250 efektivë të emergjencave civile morën pjesë në operacion. Përveç forcave shqiptare, u angazhuan edhe ekipe nga Kosova, Greqia, Italia, Mali i Zi, Serbia, Kroacia, Franca, Turqia, Zvicra, Rumania, Maqedonia e Veriut dhe SHBA.

Lidhur me kërkimet e fundit në hotelin “MiraMare” në Durrës, ku dyshohej se mund të kishte viktima të tjera, nuk është gjetur asnjë trup.

Pas kërkim-shpëtimit në terren, ekspertë shqiptarë e të huaj nisin punën për verifikimet e dëmeve në terren. /tvklan.al