Prej disa ditësh qytetarë të Fierit sorollaten ambienteve të spitalit në kërkim të mjekut ortoped. Ky i fundit ka marrë lejen e zakonshme duke lënë pa shërbim 80 mijë banorë dhe qindra pacientë që kanë pësuar aksidente ose trauma të ndryshme.

Në këtë mënyrë ata që kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale, ose fizioterapi u duhet të udhëtojnë drejt spitalit të Lushnjës ose Vlorës për t’u trajtuar. 

Qytetari: “Si spital rajonal që është Fieri duhet të kishte të paktën dy ortoped që të jepnin mundësinë për të ndihmuar në qoftë se ikën njëri me leje të jetë tjetri këtu. Tani nga do vemi ne, të vemi në Lushnje a  të vemi në Tiranë, apo në Vlorë. Nuk i vijmë dot në ndihëm fëmijës që është dëmtuar.”

Shërbimi ortopedik në spitalin rajonal të Fierit, prej dy vjetësh ka mbetur vetëm me një specialist  nga tre që ka patur më parë. Drejtori i spitalit shprehet jashtë kamerave se përveç specialistit ortoped  në këtë spital nevojitet edhe një mjek neurolog dhe një specialist hematolog.

Sipas tij lidhur me mungesën e personelit mjekësor në spitalin e Fierit është vënë në dijeni ministria e shëndetësisë, por deri më tani nuk ka patur asnjë përgjigje zyrtare./tvklan.al