Krijuesi i profilit të kafshëve në historinë e cirkut shqiptar, Tahir Baçova ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare. Varrimi i mjeshtrit të cirkut bëhet ditën e nesërme (3 Shtator 2024) në orën 11:00.

Artisti unikal e filloi karierën artistike që në moshën 17 vjeçare deri 65 vjeç, edhe pse doli në pension ai kurrë nuk u nda nga pasioni i tij, nga bota e zbutjes së kafshëve e për ta kthyer atë në art, për të argëtuar të madh e të vogël jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë. Fillimisht u aktivizua pranë cirkut amator e më pas si Profesionist në cirkun e Tiranës (sot Cirku Kombëtar).

Numri i parë me kafshë (me një qen) u shënua në vitin 1960 në premierën “Variete-Cirk-Variete” nga artisti. Akrobati Baçova mbetet bazamenti dhe promotori i profilit të kafshëve në cirkun shqiptar, bashkë me bashkëshorten e tij Sanie Baçova, e para dhe e vetmja artiste grua në profilin e zbutësit të kafshëve në cirkun shqiptar. Me punën e tij të palodhur e me pasion e bëri të pamundurën të mundur, i ktheu kafshët në artistë, në ndërveprim me akrobatët e cirkut, por dhe me publikun.

Numrat “Ecje me biçikletë”, “Kapërdime me rreth”, “Vertikale mbi shishe”, “Ekuilibër mbi glob”, “Ariu basketbollist”, “Ariu fotograf”, “Ariu vertikalist dhe ekuilibrist”, “Arinjtë në lisharse”, “Pëllumbat”, “Brezi i kalitjes”, “Klasa e qenve”, “Futbolli i qenve, “Loja me kutia”, “Pastrimi”, “Kërcimi me litar”, “Bindja e Rozës”, “Gjetja e numrave” etj, do të mbahen mend gjatë nga publiku artdashës i cirkut kombëtar.

“Artisti i Merituar”, Tahir Baçova prej më shumë se 40 vite ia kushtoi jetën dhe pasionin e tij punës me kafshë, i palodhur dhe këmbëngulës me dëshirën për të dhuruar art./tvklan.al