Bashkia Librazhd me mbështetjen e Agjensisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe aktorë të tjerë organizuan në “Fushë Studen” të Parkut Kombëtar Shebenik Jabllanicë një aktivitet të veçantë në llojin e tij në Shqipëri, Festivalin e Yjeve.

Në këtë aktivitet merrnin pjesë qytetarë, emigrantë, turistë dhe të pasionuarve të natyrës.

Aktivitetin e përshëndeti kryetari i bashkisë Librazhd, Mariglen Disha, i cili u shpreh se ky festival synon të kthehet në traditë të përvitshme në zemër të parkut Shebenik Jabllanicë.

Mariglen Disha, kryetar i Bashkisë Librazhd: Do ta kthejmë në traditë çdo vit do të festojmë Festivalin e Yjeve këtu në zemër të Parkut Kombëtar Shebenik.

Të pranishmit patën mundësi të ndjekin thellësinë e galaktikës sonë me teleskopë të avancuar, performanca muzikore, filma, dhe natyrisht muzikën nën yje, duke e shijuar deri në orët e para të mëngjesit.

Organizatorë të këtij aktiviteti theksuan se i kanë kushtuar rëndësi, jo vetëm anës kulturore, artistike dhe edukative, por edhe ndërveprimit dhe pasurimit të natyrës

“E rëndësishme është që të jemi afër natyrës dhe jo vetëm ta shijojmë, por edhe të bëjmë për të duke mbjellë pemë, e duke bërë aksione pastrimi.”

Këtu kemi ardhur jo sepse ka resorte me 5 yje, jo se ka autostrada, por kemi ardhur sepse ka një natyrë fantastike. Kemi ardhur sepse ka yje dhe pikërisht me forcën e natyrës dhe forcën e yjeve do duhet që të përpiqemi ta promovojmë këtë zonë.”

Bashkia Librazhd ka organizuar mjaft aktivitete gjatë kësaj vere me synimin e promovimit të vlerave dhe traditave, por veçanërisht për zhvillimin e turizmit.  Numri i turistëve në këtë bashki u dyfishua gjatë sezonit të verës krahasuar me një vit më parë.

Klan News