Ky është momenti kur Marklen Haka arrestohet nga forcat RENEA. Personi me rrezikshmëri të lartë u prangos në një banesë, pranë liqenit të Bacungut, në Nikël të Krujës. Gjatë kontrollit në objektin ku u lokalizua 33 vjeçari, është gjetur dhe një pistoletë si dhe është sekuestruar dhe një pushkë.

Klan News ka mësuar se ai tentoi të largohet me vrap në momentin që pikasi forcat e policisë, të cilat kishin rrethuar banesën ku fshihej. Ky është momenti kur Marklen Haka mbërrin në Policinë e Tiranës. I zbathur ai shoqërohet nga forcat RENEA. Gjatë këtij aksioni mësohet se u shoqëruan në polici 4 persona.

Në njoftimin zyrtar, policia thotë se Marklen Haka u lokalizu falë informacioneve të inteligjencës policore. Operacioni për prangosjen e tij kishte nisur më 2 shtator dhe u finalizua këtë të premte, rreth orës 14:00.

Marklen Haka ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit ‘Revanshi’. SPAK e akuzon për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Durim Bamit, pjesëmarrje në grup kriminal dhe armëmbajtje pa leje dhe ndaj tij gjykata kishte vendosur masën arrest në burg.

33 vjeçari në shtator të vitit 2019 i shpëtoi një atentati në derën e shtëpisë, ku mbeti i plagosur lehtë. Nga breshëria e plumbave humbi jetën halla e tij. Në qershor të vitit 2022 ai i shpëtoi një tjetër atentati pranë banesës së tij në Nikël.

Në janar të 2022 ai u shoqërua nga RENEA-s pas një operacioni që çoi në arrest 19 persona, por më pas u la i lirë. Gjithashtu ai u mor në pyetje dhe për vrasjen e Gentjan Bejtjes.

Për arrestimin e Marklen Hakës reagoi ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, i cili përgëzoi forcat e policisë për këtë operacion, të cilin e cilësoi të një rrezikshmërie të lartë

“Në prangat e Policisë së Shtetit ka rënë i shumëkërkuari Marklen Haka alias Aliu, i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe i përfshirë në disa ngjarje të rënda, pas një operacioni profesional të Forcave Speciale RENEA, mbi bazën e informacioneve të siguruara nga Policia e Tiranës. Një ndër personazhet më kryesore të botës së krimit u kap në Nikël të Krujës, me armë zjarri, e bashkë me të po shoqërohen edhe disa persona të tjerë.”

Ministri thekson se Përpjekja për t’ju shmangur përballjes me drejtësinë po merr e do të marrë çdo ditë e më shumë përgjigjen e duhur nga uniformat blu dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese.

Klan News