Kryetarit të PD, Sali Berisha nuk do t’i hiqet mandati i deputetit, pasi mungesa e tij për rreth 6 muaj në seancat parlamentare kanë qenë me arsye për shkak se ndodhet në arrest shtëpie. Kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla tha në konferencën e kryetarëve se për këtë vendim është respektuar Kushtetuta.

Për Gazment Bardhin, vendimi për mosheqjen e mandatit të deputetit ndaj Berishës është një lexim i drejt i Kushtetutës nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla dhe i jep fund spekulimeve që sipas tij janë bërë nga ana e mazhorancës.

Gazment Bardhi, kryetar i Grupit Parlamentar të PD: Bëhet fjalë për një mungesë me arsye, madje deputeti në mënyrë aktive ka kërkuar që të jetë prezent në seancat plenare. Për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë spekulimeve që kanë 6 muaj që sponsorizohen nga segmente brenda mazhorancës. Ky fakt nuk mjafton, deputetit Sali Berisha do duhet që Kuvendi t’i krijojë mundësinë e pjesëmarrjes në mbledhjen e Kuvendit të Shqipërisë.

Para mbledhjes së konferencës së kryetarëve, Bardhi mblodhi Grupin Parlamentar ku u vendos që ti drejtohen Kuvendit me një kërkesë për interpelancë me ministren e Shëndetësisë, Albana Koçiu për skandalin në Spitalin Onkologjik në QSUT.

Gazment Bardhi, kryetar i Grupit Parlamentar të PD: Është një skemë e plotë e frymëzuar dhe e iniciuar nga drejtuesit politikë të sektorit të mjekësisë, pra ministrit të Shëndetësisë.

Teksa Grupi i Dialogut  është ende larg një produkti konkret për Reformën Zgjedhore, Bardhi fajëson mazhorancën.

Gazment Bardhi, kryetar i Grupit Parlamentar të PD: Nuk ka vullnet për të çuar përpara Reformën Zgjedhore, sepse të bësh Reformë Zgjedhore do të thotë që të mos intimidosh punonjësit e administratës publike. Prandaj ai që vjedh zgjedhjet nuk ka kurrë interes për të bërë një reformë zgjedhore.

PD ka ngritur dhe dy grupe pune, një për intimidimin që PS, sipas selisë blu po u bën qytetarëve për votën në zgjedhjet e ardhshme dhe për verifikimin e ligjit të privatizimit të pronave publike.

Klan News