“Drejtuesit e shkollave nuk mund të zgjidhin vetë rastet e dhunës, ndaj e quajmë të rëndësishëm figurën e oficerit të sigurisë”

. Pas kësaj deklarate të Kryeministrit Edi Rama, vendimi nr 600 i 9 Tetorit të 2018 parashikonte se 150 gjimnaze në të gjithë vendin do të kishin oficer sigurie.

“Me të hyrë në fuqi ky vendim, Ministria e Arsimit hapi konkursin për vendet vakante të punës, të cilat me 13 Dhjetor duhet të ishin kompletuar. Për të parë sesi ka vijuar zbatimi i këtij projekti, Tv Klan ka kryer një vëzhgim në disa gjimnaze të vendit që bëjnë pjesë në listën e publikuar nga Ministria”.

Në Durrës dhe Shkodër, në disa shkolla, ky urdhër nuk është zbatuar.

“Jo, nuk ka”,

thotë një nxënës.

“Ka punonjës sigurie, po vijnë me raste, nuk janë të përditshëm aty”,

shton një tjetër.

Në shkollat ku oficeri mungon, nxënësit pranojnë se fenomeni i dhunës është i pranishëm.

“Ka pas sherre plot, nuk ka qenë policia këtu, ka pasur sherre sa të duash dhe nuk ka qenë policia”

Xhesika Grëmi është oficere sigurie në gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë. 25-vjeçarja shprehet se detyra e saj është jo vetëm të menaxhojë konfliktet mes nxënësve, por edhe t’i njohë ata me anën ligjore.

“Për një javë kemi menaxhuar 2-3 konflikte mes nxënësve që mund të agravonin. Zihen për mosperputhje karakteri, kanë pëlqime të ndryshme”, 

thotë Grëmi.

Pjesa më e madhe e nxënësve nuk janë në dijeni të rolit të oficerit të sigurisë dhe e njehsojnë atë me patrullat e policisë. 

“Nuk rrinë këtu, thjesht qarkullojnë dhe lëvizin”,

thotë një nxënës.

“Ka punonjës sigurie, po vijnë me raste, nuk janë të përditshëm aty”,

shprehet një tjetër.

“Mesa kam parë qarkullojnë disa herë patrullat e policisë”,

shton një tjetër nxënës

.

Në gjimnazet e Shkodrës, në mungesë të oficerit, menaxhimi i sigurisë arrihet përmes bashkëpunimit të drejtuesve të shkollave me policinë.

“Akoma nuk kemi një person që ka ardhur nga Drejtoria arsimore apo Ministria e Arsimit për të kontaktuar për këtë problem. Për sigurinë e nxënësve në shkollë ne kemi policin e zonës”,

thotë Albana Bushati, Drejtoreshë e gjimnazit “28 Nëntori” në Shkodër.

“Pritet të instalohet një oficer sigurie pranë edhe shkollës sonë, por akoma nuk kemi një të tillë. Pranë shkollave vijnë patrullat e policisë dhe rojet”,

shprehet Drejtori i shkollës së mesme “Shejnaze Juka”, në Shkodër.

Duke iu përgjigjur interesit të Tv Klan, Ministria e Arsimit e pranon mungesën e oficerëve të sigurisë në disa shkolla të vendit, duke sqaruar se kjo situatë lidhet me numrin e paktë të aplikimeve nga kandidatët, për të fituar këto vende vakante.

Një oficer sigurie merr një pagë prej 43 mijë lekësh në muaj. Ministria ka hapur sërish konkursin dhe do t’i publikojë emrat në fund të Marsit.

Tv Klan