Terreni jo i njëtrajtshëm nuk është aspak pengesë për këmbën robotike që funksionon në sajë të muskujve artificialë “elektro-hidraulikë”. Këmba u krijua nga shkencëtarët e ETH Zurich dhe Instituti Max Planck për Sistemet Inteligjente.
Sipas tyre, është i pari i llojit të saj që mund të përshtatet automatikisht me terrene të ndryshme, siç është treguar edhe përmes një videoje. Këmba mund të kërcejë mbi bar, rërë, zhavorr dhe guralecë.
Sistemi është më eficent në raport me energjinë sesa motorët elektrikë duke mundësuar kërcimet së larti dhe lëvizjet e shpejta pa sensorë kompleksë.
“Zakonisht, robotët me motor elektrik kanë nevojë për menaxhim të energjisë çka kërkon pjesë shtesë ose helika për të shpërndarë nxehtësinë. Në sistemin tonë kjo nuk ndodh”, tha një prej bashkëautorëve të studimit, Toshihiko Fukushima.
Shkencëtarët thanë se u frymëzuan nga gjallesat dhe këmba robotike funksionon njësoj si ajo e njeriut kur kërcen. Muskuj të ngjashëm si te njeriu e kafshët bëjnë të mundur lëvizjen e saj në të dy drejtimet.
Këto pjesë elektro-hidraulike lidhen me skeletin përmes tendinave. Në të vërtetë, pjesët janë qese plastike të mbushura me vaj, të ngjashme me ato që përdoren për kubat e akullit. Në anët e secilës prej tyre ka një elektrodë të zezë të prodhuar nga një material që tejçon energjinë që karikohet njësoj sikur “fërkon tullumbacin pas flokëve”, thotë Thomas Buchner.
“Sapo aplikohet rrymë te elektrodat, ato tërhiqen drejt njëra-tjetrës falë elektricitetit statik”.
Me rritjen e voltazhit, elektrodat afrohen më shumë dhe e shtyjnë vajin e qeses në njërën anë duke imituar lëvizjen e muskulit: kur një muskul shkurtohet, ana e tij e kundërt zgjatet.
Kjo lloj teknologjie hap dyer të reja në fusha si robotika e butë. Avantazhet janë “mjaft të dukshme”, sidomos te duart robotike ku nevojitet saktësi e lartë për të kapur objekte delikate.
“Krahasuar me robotët me motor elektrik që ecin, sistemi ynë është ende i kufizuar. Këmba është e lidhur pas një shufre, kërcen në formë rrethore dhe ende s’lëviz lirshëm”, tha Robert Katzschmann, duke shtuar se tejkalimi i kufizimeve do të hapë dyer në zhvillimin e robotëve që ecin./tvklan.al