Personat që shihni në foto janë Gramos dhe Lavdimir Kurtaj, përkatësisht 52 dhe 46 vjeç që u vranë këtë të martë me armë zjarri në fshatin Kurjan të Fierit.

Autor i kësaj ngjarje është, Altin Kuka, i cili pas krimit të dyfishtë u vetëdorëzua në polici, aty ku shkoi bashkë armën tip automatik, me të cilën kreu vrasjen. Ky është momenti i prangosjes së tij.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 14 në ambientet e një lokali, ndërsa pak orë pas saj në pranga u vunë dhe djali i autorit me një shokun e tij, të cilët u kapën në tentativë arratisje në aksin rrugor Fier-Berat.

Pikërisht një sherr mes djalit të autorit dhe djalit të një prej viktimave, Gramos Kurtajt dyshohet se është bërë shkak i regjistrimit të krimit të dyfishtë. Ky version është dhënë përpara policisë edhe nga vetë autori.

“Fillimisht ka deklaruar se këtë akt kriminal e ka kryer për shkak të një grindje që ka pasur djali i tij së bashku me 2 viktimat.”

Fqinj të dy vëllezërve, njëri prej të cilëve ishte birësuar nga xhaxhai, shprehen të shokuar për ngjarjen.

“Familja më e rregullt në Kurtaj, familje e parë. Janë njerëz në punë të tyre.”

Për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, policia ka shoqëruar mbi 10 persona të cilët mund të hedhin dritë në dokumentimin e plotë të asaj që ka ndodhur.

Tv Klan