Turizmi është një nga sektorët që gjenerojnë më shumë të ardhura në ekonominë e vendit. Sipas publikimit të fundit të bankës së Shqipërisë për bilancin e pagesave në tremujorin e dytë Prill – Qershor janë siguruar 1 miliard e 160 milionë euro nga turizmi. Ndërkohë që në tremujorin e parë ishin siguruar 788 milionë euro të ardhura.

Për 6 muajit e parë të këtij viti sipas të dhënave zyrtare  të INSTAT kanë hyrë në vend 4.5 milionë turistë të huaj, ose rreth 34% turistë të huaj më shumë se e njëjta periudhë e vitit të shkuar.

Ndërkohë që të ardhurat nga sektori i turizmit për periudhë 6 mujore të këtij vitit kanë arritur në gati 2 miliardë euro, duke pësuar një rritje me 25% më shumë se viti i shkuar.

Në raportin e bankës së Shqipërisë theksohet se: “Shërbimet e udhëtimit kanë zgjeruar balancën pozitive në +473 milionë euro, kundrejt nivelit +388 milionë euro, në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të ardhurat nga shërbimet e udhëtimit u rritën respektivisht me rreth 25% në terma vjetorë, ku rritja e numrit të udhëtarëve ka qenë faktori përcaktues, por në të njëjtën kohë shpenzimi ditor është vlerësuar në rritje. Gjatë tremujorit të dytë 2024, eksporti i shërbimeve të udhëtimit i ka siguruar ekonomisë vendase rreth 1 miliard e 160 milionë euro.”

Të ardhurat nga turizmi për vitin 2024 pritet të arrijnë shifra rekord referuar numrit të turistëve në rritje.

Klan News